Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se nuk ka ndërmend të urdhërojë ushtrinë të kalojë kufirin me Kosovën, duke shtuar se do të tërheqë forcat nga kufiri, për siç tha ai, përshkallëzimi i konfliktit do të ishte kundërproduktiv sa i përket aspiratave të Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Vuçiç tha se nuk do të ishte e dobishme për Beogradin dhe se me këtë do ta shkatërronin pozitën që, siç tha ai, e kishin ndërtuar për një vit.
“Të shkatërrohet brenda një dite? Serbia nuk do luftë”, tha Vuçiç, raportojnë mediat serbe.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby shprehu shqetësimin e Washingtonit të premten për “dislokimin e madh të trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën”, duke i bërë thirrje Beogradit që të tërheqë forcat e saj.
Kirby tha se SHBA po “monitoron dislokimin e forcave të mëdha ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën” që ka ndodhur gjatë javës së kaluar, duke përfshirë artilerinë e avancuar, tanket dhe njësitë e mekanizuara të këmbësorisë.
Vuçiç, siç raportojnë mediat serbe, ka shtuar se paralajmërimet e Washingtonit janë joproporcionale, sepse numri i pjesëtarëve të forcave serbe në terren është duke u zvogëluar.
Qeveria e Kosovës të dielën kërkoi nga Serbia të tërheqë menjëherë të gjitha njësitë ushtarake nga kufiri i Kosovës.
“Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.
Dislokimi kërcënon integritetin territorial të Kosovës dhe praninë ushtarake ndërkombëtare në vend, thuhet ndër të tjera.
“Shumë herë kemi ngritur shqetësimin për ekzistencën e këtyre 48 bazave të përparme të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe dhe kemi theksuar faktin, tashmë të vërtetuar që këto baza shërbejnë për mbështetje të agresionit të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Në sulmin nga një grupi serbësh më 24 shtator, të udhëhequr nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, u vra një polic i Kosovës dhe më pas policia e Kosovës në “operacion anti-terrorist” vranë katër sulmues dhe arrestuan gjashtë të tjerë. Radoiçiq me pjesën tjetër të grupit ikën në Serbi.