Alsat 2019-09-01T15:54:49+02:00
Vrasja me thikë e 78-vjeçares S.T. nga Gostivari dhe plagosja e vajzës dhe dhëndrit të saj, ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshje për një borxh prej rreth 1500 euro, të cilët nga çifti S.R dhe B.R ishin paguar, por kryerësi i veprës, pretendonte se personat në fjalë, për borxhin prej 1500 eurove duhet të paguajnë edhe kamatën e cila ka arritur në 20 000 euro.
Rasti ishte paraqitur në gjykatë ku tanimë viktimat e kishin fituar rastin, por kryerësi i veprës, kishte vazhduar edhe më tej t`i kërkojë paratë duke iu ardhur tek banesa, siç bëri edhe mëngjesin e sotëm, pas çka ka kryer edhe krimin.
Rasti ka ndodhur në orën katër të mëngjesit, teksa tanimë e ndjera, 78 vjeçarja S.T. nga Gostivari dhe vajza e saj 54 vjeçarja S.R, ishin në gjumë. Agresori, me të futur në banesë fillimisht sulmon 78 vjeçaren të cilën e len të vdekur nga goditjet me thikë, dhe më pastaj sulmon edhe vajzën e saj, 54 vjeçaren S.R.
Gjatë sulmit, në banesë në rrugën e ilindenit arrin edhe dhëndri i tanimë të ndjerës, 60 vjeçari B.R. Dorasi godet edhe personin në fjalë pas çka largohet nga vendi i ngjarjes. Fqinjët e viktimave kanë alarmuar policinë ndërsa të lënduarit i kanë dërguar në Spitalin e Gostivarit, me ç`rast, çifti S.R dhe B.R., janë dërguar në spitalin klinik të Shkupit dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore nga plagët e mara por jashtë rrezikut për jetët, kurse tek e moshuar vetëm se është konstatuar vdekja.
Një orë më vonë, punonjës të policisë, kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin për kryerje të veprës, ndërsa vazhdon kërkimi për thikën me të cilën supozohet ta ketë kryer krimin.
Policia nuk bën të ditur identitetin e vrasësit, por sipas informatave të televizionit Alsat, i dyshuari për vrasjen është personi me iniciale Gj.D., nga fshati Vollkovijë, zjarrfikës në njësinë e Gostivarit, i cili mbrëmë ka qenë në detyrë nga ora 20 deri në ora 23 e 30 minuta, pas çka lëshon vendin e punës, dhe në mëngjes kryen vrasjen.
Kujtojmë se, tanimë e ndjera, 78 vjeçarja S.T, ka qenë mysafir në banesën e vajzës së saj në Rrugën e Ilindenit në Gostivar, ku edhe mbeti e vrarë nga plagët e mara nga thika.
Loading…



