Një person mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos me armë zjarri mbrëmjen e sotme (21 prill) në Memaliaj, ku autor u identifikua Donald Nelaj.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se autori i dyshuar i vrasjes, Donald Nelaj, rezulton të jetë personi i fundit që ka pasur kontakt me Eraldo Muçin, mik i Aleksandër Sadikaj, i njohur ndryshe me nofkën “Sanco”, që u ekzekutua më 11 Qershor 2022, me anë të shpërthimit të një sasie tritoli të vendosur poshtë makinës me të cilën lëvizte në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut.
Kujtojmë se 30-vjeçari Eraldo Muçi, ka humbur çdo gjurmë prej datës 15 Qershor 2025.
Nëna e Eraldos, e cila ka dëshmuar para grupit hetimor, ka pohuar edhe për emisionin “Në Shënjestër” se biseda e fundit telefonike me të birin, ishte në orët e para të mëngjesit të 15 qershorit.
“Unë me djalin tim, Eraldon, për herë të fundit kam folur më 15 Qershor. Ai doli në mëngjes dhe atë ditë shkoi në Memaliaj. Aty ai kishte disa shokë me të cilën rrinte.
E telefonova rreth orës 09:00. Më tha po pinte kafe. Folëm më vonë dhe më tha se do të vinte në shtëpi. Por ai nuk u kthye më”, është shprehur nëna e 30-vjeçarit”, ka rrëfyer Trëndafile Muçi.
Sipas të dhënave të deritanishme nga hetimet, besohet se zhdukja e beftë e Eraldo Muçit ka lidhje me miqësinë që ai kishte krijuar me Aleksandër Sadikajn, i njohur ndryshe edhe si “Sanço”.


