Pas marrjes në pyetje policia ka liruar tre nga gjithsej 4 të arrestuarit, të dyshuar për vrasjen në Tetovë, ku i vdekur mbeti një 46 vjeçar dhe katër të tjerë u plagosën.
Si i dyshuar për kryerjen e veprës ka mbetur vetëm 15 vjeçari, i cili aktualisht po merret në pyetje në Gjykatë nën prezencën e Avokatit të Qendrës për Punë Sociale dhe punëtorëve social.
Një ditë më parë policia ka kryer bastisje në disa lokacione në fshatin Gajre të Tetovës, ku janë gjetur sende me interes për hetimin. Gjatë bastisjeve, u arrestuan dy femra si dhe dy të mitur të moshës 15 dhe 17 vjeç, të gjithë nga fshati Gajre.
Të gjithë katër të plagosurit aktualisht janë në gjendje të qëndrueshme. Në Kirurgjinë Torakale po kurohen dy pacientë, njëri prej të cilëve më herët ishte në rrezik jete, por sipas autoriteteve të spitalit, që të dy tashmë janë në gjendje të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën. Në gjendje të qëndrueshme janë edhe 2 pacientët e tjerë mes të cilëve edhe vajza 13 vjeçare.
Incidenti ndodhi të dielën në mesditë në kryqëzimin e rrugës “Ilinden” dhe “Bllagoja Toska”. Dëshmitarët thanë se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe se makina nga ku u sulmua, u largua me shpejtësi. Jo zyrtarisht, bëhet fjalë për hasmëri mes familjeve rivale Terziu nga Tetova dhe një familje tjetër nga fshati Gajre. Deri më tani, si pasojë e përplasjeve të armatosura ka pasur disa viktima nga të dyja familjet. /Alsat.mk