Ramazan Mataj, 33 vjeç, u vra mëngjesin e sotëm (5 janar), teksa ndodhej në automjetin e tij, në fshatin Dragoç të Postribës, në Shkodër.
Gazetari i kronikës, Igli Çelmeta, i ftuar në studion e News 24, ka dhënë disa detaje lidhur me vrasjen e të riut, i cili nuk duket të ketë një të shkuar kriminale.
Çelmeta tha se vendi i ngjarjes ku ndodhi vrasja nuk ishte i mbuluar nga kamera sigurie, duke e vështirësuar në këtë mënyrë hetimet e policisë.
Sakaq ai u shpreh se policia ka përjashtuar mundësinë që vrasja 33-vjeçarit të jetë e lidhur me veprimtari të paligjshme.
Gazetari sqaron se Mataj nuk ka precedentë penal as në Shqipëri e as jashtë vendit.
Sipas burimeve të gazetarit, një nga pistat kryesore që po shqyrtohet nga autoritetet është ajo e një konflikti personal, e lidhur me një marrëdhënie dashurie që mund të ketë pasur 33-vjeçari.
“Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një atentat tipik mafioz nga vrasës me pagesë, prandaj dhe pista kryesore që po heton grupi hetimor është për shkak të konflikteve që mund të kenë edhe me lidhje dashurie që mund të ketë 33-vjeçari dhe ka përjashtuar pistën e konflikteve. Policia dyshon se autori ka vepruar i vetëm. Policia po heton se kush është personi që e futi në kurth Ramazan Matajn të shkonte në rrugë që nuk kishte rrugëdalje”, tha gazetari.
Para ngjarjes tragjike, Mataj kishte kontaktuar të atin rreth 30 minuta më herët, duke i treguar se po kthehej në shtëpi.
Ramzan Mataj u qëllua me breshëri plumbash brenda makinës së tij tip “Benz” dhe më pas u gjet pa shenja jete nga banorë të zonës.
Autorët dyshohet se kanë vëzhguar lëvizjet e të riut gjatë mbrëmjes së djeshme dhe në momentin që ka dalë në rrugën kryesore të fshtatit, e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur.
Një prej fqinjëve ka dëgjuar të shtënat mbrëmë, por për shkak se pranë vendngjarjes ndodhet një lokal dasmash, ka menduar se bëhet fjalë për të shtëna nga dasmorët, duke e mos e ditur se bëhet fjalë për një vrasje.
Ramazan Mataj rezulton se ka jetuar për një periudhe 1-vjecare në Belgjikë. Pas kthimit të tij në Shqipëri sipas familjarëve ai punonte në zonën e Ulqinit në ndërtim.