Luis Meçja, shoku i 14-vjeçarit të vrarë Martin Cani, ka folur për mediat, duke thënë se është i gatshëm të dëshmojë në gjykatë, ndërsa theksoi se dëshiron drejtësi.
“Seancën nuk e kam përjetuar aq mirë. Duam drejtësi”, tha Meçja, i cili mbeti i lënduar nga sulmi.
I pyetur nëse është i gatshëm të dështmojë, ai u përgjigj duke thënë “Patjetër, gjithmonë.”
Gjykata e Tiranës në seancën e sotme paraprake ka marrë vendimin që të kalojë për gjykim shtetasin M. Përlleshaj, 14 vjeçari i cili dyshohet të ketë vrarë me thikë bashkëmoshatarin e tij, Martin Canin, pranë ambienteve të shkollës.
Ishte gjyqtarja Migena Laska ajo që miratoi kërkesën e Prokurorisë, që çështja të kalojë për gjykim.
Ndaj Mario Përlleshajt rëndon akuza për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në rrethana cilësuese’ ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave, në dëm të Martin Canit dhe Luis Meçja.
Martin Cani, vetëm 14 vjeç, u vra më 18 nëntor 2024 pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Nga sherri mes adoleshenteve mbeti i plagosur edhe shoku i tij, Luis Meçja, i cili tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
I mituri Mario Përlleshaj ndodhet në institutin për të mitur në Kavajë, ndërsa edhe në muajin dhjetor 2024 ai kundërshtoi masën e sigurisë “arrest me burg”
Ndërkohë më 10 shkurt Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e tij për lirim, duke e lënë Mario Perlleshajn në masën e sigurisë “arrest me burg”.