Prokuroria ka dyshime se vrasja e Kudrejt Saliajt nga ish-vjehrri i tij Mexhit Picari ishte e paramenduar dhe se e bija Dhurata Picari e ka ndihmuar duke mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e ish-burrit. Picari nesër pritet te dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.
Dëshmitë kontradiktore të Mexhit Picarit dhe vajzës së tij Dhurata Saliaj kanë ngritur dyshimet se vrasja e Kudrejt Saliajt nga ish vjehrri i tij i ka qenë e planifikuar.
Prokurori i çështjes ka kërkuar arrest me burg për Mexhit Picarin dhe vajzën e tij Dhurata Saliajn e cila ishte në proces divorci me viktimën që nga nëntori i vitit të kaluar. Rezulton sipas prokurorisë se Mexhit Picari dhe vajza e tij që duhet të ishte në ‘arrest shtëpie’ për dhunë në familje, në harkun kohor të 20 minuta kanë vëzhguar lëvizjet e viktimës dhe avokatit, para se të qëllonin me 5 plumba, Kudret Saliajn.
Fakti që ata kanë vëzhguar lëvizjet e viktimës dhe avokatit ngre dyshime të forta se e kishin paramenduar vrasjen. Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë ku duken lëvizjet e avokatit dhe viktimës. Në momentin që babë e bijë janë siguruar se janë ulur në lokalin ku ndodhi ngjarja, edhe ata janë ulur. Sapo kanë porositur, Picari është afruar dhe ka qëlluar Saliajn.
Ndërkohë avokati Adriatik Cama vijon të ndodhet në Spitalin e Traumës, ku pritet ti nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Avokati në dëshminë e tij paraprake ka thënë se në momentin që është ulur me Saliajn, ka ardhur dhe psikologja e caktuar nga gjykata për të bërë një raport për çiftin.
‘Teksa po dëgjonin raportin psikologjik për fëmijët kam dëgjuar plumbat. Kur kam parë Kudret Saliaj te vrarë dhe psikologes që i ka rënë të fikët’, ka thënë Cama në dëshminë e tij.
Vetëm një ditë para ngjarjes së rëndë ka pasur një debat të ashpër mes palëve. Debate që ishin bërë të shpeshta për shkak se Dhurata Saliaj ndodhej në ‘arrest shtëpie’, por ajo ishte urdhëruar nga gjykata që t’i takonte fëmijët vetëm të shtunën në praninë e psikologes. Mexhit Picari nga ana tjetër deklaronte se ish-dhëndri e kërcënonte.
Të premten djali madh do të deklaronte para gjykatës së me cilin nga prindërit do të qëndronte. Djali nuk ka qenë i pranishëm, por është gjendur në një lokal pranë atij ku ka ndodhur ngjarja me një kushëri të viktimës. Ai është afruar pas ngjarjes, por nuk e ka lejuar policia.
16-vjeçari ka deklaruar se nëna e tij ushtronte dhunë ndaj tij dhe motrës e vëllait më të vegjël. Ai ka folur për marrëdhënie të tensionuara me gjyshin dhe dajën e tij. Por djali adoleshent do të ripyetet nga oficerët e Policisë Gjyqësore dhe konfliktet në familje mes prindërve të tij që nga 2013 dhe që kishin kulmuar në 2020./syri



