Katër ditë pas vrasjes, policia nuk jep asnjë hollësi për hetimin rreth vrasjes së Dilaver Bojkut. Nga SPB Ohër thanë për Alsat M se ende nuk kanë ndonjë të akuzuar për vrasjen që ndodhi në plazhin Akua Blu.
SPB Ohër në koordinim me Prokurorinë edhe sot në mënyrë intensive punojnë në zbardhjen e vrasjes në Strugë. Vazhdojnë bisedat me persona nga Struga dhe disa vende përreth për konkretizimin e disa informatave dhe aspekteve lidhur me kryerësin e mundshëm. Ende nuk ka ndonjë të dyshuar- deklaroi Stefan Dimoski, SPB Ohër.
Në pyetjen e Alsat M, nëse kanë bashkëpunim me Shqipërinë rreth gjetjes së mundshme të vrasësit, Dimovski u përgjigj se të gjitha mundësitë janë të hapura dhe se çdo bashkëpunim është i mirëseardhur në drejtim të zbardhjes së identitetit të vrasësit. Ende nuk dihet nëse motivet për vrasjen e struganit kontrovers janë hakmarrje gjaku apo ndonjë shkak tjetër. Restoranti i Lekut ku ndodhi vrasja ende është i mbyllur. Vrasësi i Bojkut, sipas hetimit ka shtënë nga afër dhe menjëherë është larguar nga vendngjarja. Pas tij janë vënë dy persona për ta kapur, por vrasësi ka shtënë edhe ndaj tyre dhe më pas ka ikur në drejtim të panjohur.
Miki Trajkovski

