Me pranimin e fajit, filloi gjykimi për vrasjen pranë Q.T. “Mavrovasja” të biznesmenit të Shkupit, 59-vjeçarit Vasil Eftimov, më 20 gusht të vitit të kaluar. I akuzuari Elvin Kurtoviq, i cili ndodhej në dënim me burg, por ishte lëshuar për fundjavë dhe nuk u kthye në “Idrizovë” në kohën e caktuar, shprehu keqardhje për veprën e kryer dhe tha para gjykatës se ka qenë nën ndikimin e kokainës për disa ditë.
„Në asnjë mënyrë nuk ndihem mirë emocionalisht dhe psikologjikisht. Më vjen shumë keq për veprën e kryer. Nuk kam dashur ta vras njeriun. Kjo ishte një fatkeqësi. Kam qenë nën ndikimin e drogës për disa ditë, vërtet. Para kësaj kam qenë në burg për disa vepra të vogla krahasuar me atë që po përgjigjem tani. Më vjen shumë keq, ky është gjithçka që kam për të thënë“, tha Elvin Kurtoviq.
Kurtoviq nuk pranoi fajin për dy krimet e tjera „mbajtja e paligjshme e armëve“ dhe „përpjekja për vrasje“ të policëve që ishin në kërkim të tij në ditën kritike.
Avokatja e tij Sofia Laliçiq kërkoi dënimin më të lehtë të mundshëm, pasi klienti i saj nuk mund të gjykonte si duhet dhe të kuptonte pasojat e veprimeve të tij për shkak të përdorimit të drogës. Po ashtu, sipas saj, shteti ka dështuar, fillimisht me dështimin në riintegimin e Kurtoviq dhe më pas duke e lënë atë të lirë.
„Përse po e them gjithë këtë, për ta ndarë fajin për veprën penale të akuzuarit me shtetin. Po, ai ka vrarë njeriun. Por kërkojmë që të jemi përgjegjës dhe të shikojmë faktet në sy, dhe ato janë se shumë krime ndodhin në vendin tonë sepse institucionet përkatëse nuk e bëjnë punën e tyre siç duhet“, tha Sofia Laliçiq, avokatja e Kurtoviq.
Prokuroria pret dënimin më të ashpër dhe adekuat, duke marrë parasysh faktin se i akuzuari është tashmë një i dënuar. Dënimi do të shpallet të enjten. Dënimi minimal është 10 vjet, ndërsa maksimalja mund të jetë burgimi i përjetshëm.