Në karrigen e të akuzuarit për vrasje sot në Gjykatën e Kumanovës është paraqitur Boban Iliç, personi që shtypi për vdekje vogëlushin Almir Aliu më 25 qershor të vitit të kaluar.
Boban Iliç, me një veturë të tipit “Mercedes C200”, në të cilën ishin edhe vëllai i tij B.I., në afërsi të spitalit të Kumanovës, qëllimisht goditi familjen Aliu, ndërsa Almiri i vogël nuk i mbijetoi shkaku i lëndimeve të rënda që kishte marrë.
Paralelisht me procesin gjyqësor, sot para gjykatës u grumbulluan qytetarë të shumtë nga Kumanova dhe nga vendet tjera, të cilët kërkonin dënim maksimal për Boban Iliç.
”Nëse Bobani është i çmendur edhe ne do të çmendemi”, thoshte njëra nga pankartat paralajmëruese që mbanin protestuesit para gjykatës.

