Sami Demiri dhe Abdulla Aliu, ishin dy të akuzuarit që sot dëshmuan para Gjykatës Thelemore të Kumanovës, për rastin e vrasjes së 4-vjeçarit Almir Aliu. Demiri dhe Aliui mohuan se në vendin ku ndodhi vrasja janë thirrur nga babai i Almirit, Sedat Aliu për t’i parapirë zënkës e cila ndodhi brenda hapsirës së Shtëpisë së Shëndetit. Sami Demiri, familjar i Aliut, sqaroi se atë natë nuk kanë shkuar në spital për të shkaktuar ndonjë problem, por kanë shkuar që ta shoqërojnë Sedatin, i cili po e dërgonte të birin për mjekim.
SAMI DEMIRI
“Natën kur ndodhi e gjithë kjo fatkeqësi unë bashkë me Sedatin ishim në kafene dhe në një moment Mixhevere Kasumi, nëna e Almirit i bëri telefon Sedatit dhe i tha që djalin e tyre duhet ta dërgojnë në spital për të marrë inekcion dhe ashtu siç ishim të tre shkuam për ta marrë Almirin dhe nënën e tij që t’i dërgojmë në spital. Kur kemi arritur atje të dy prindët me djalin e tyre kanë hyrë në spital, ndërsa unë dhe Abdullau qëndruam në veturë dhe po i prisnim ata, pra ne kemi qenë që në fillim, neve nuk na ka telefonuar Sedati që të vijmë pasi ka ndodhur zënka brenda spitalit”.
Njëjtë sikur Demiri, edhe Abdulla Aliu tha se aq shume janë goditur atë natë me një mjet të fortë nga vëllai i Bojanit, Boban Iliqi, saqë edhe sot e kësaj dite ata vazhdojnë të mjekohen.
ABDULLA ALIU
“Ata nuk u ngopën me atë që e shtypën fëmiun me veturë, por vëllai i vet Bojani doli nga vetura, me një shkop bejzbolli ose metal sedi çfar ishte, na ka goditur sa ka mundur. Pasojat nga ato goditje ende sot i kam, unë tani nuk mund ta drejtoj makinën, nuk mund të mbaj mend dhe kam dhimbje të kokës gjatë gjithë kohës”.
Ata para gjykatës sot përmendën tre dëshmitarë, të cilët sipas tyre e kanë ndjekur të gjithë rastin nga afër dhe mund ta tregojnë se si ka ndodhur i gjithë incidenti para objektit të Shtëpisë së Shëndetit. Ndërkaq, Sami Demiri dhe Abdulla Aliu akuzohen për veprën penale “dhunë”.
Emine Ismaili /SHENJA/

