Ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë për shtyp deklaroi se Alfred Dedja, 50-vjeçari që u ekzekutua të dielën në Ndroq, nga Juljan Gjoshi, ishte dëshmitar i vrasjes së Jan Prengës.
“U ekzekutua në Ndroq dëshmitari i copëtimit të Jan Prengës, njeriu që dinte të gjitha. Ai Dedja kishte qenë menaxher i lokalit të Altin Hajrit. Imagjinoni ju një moment njeriun që e kishin liruar nga burgu këtë Julianin (Gjoshin) që kishte ngritur shtetin në këmbë për ta liruar tani e urdhëron në një akt in-ekstremis të vrasë në publik dëshmitarin e vetëm të mundshëm të copëtimit makabër të trupit të Jan Prengës. E gjitha kjo një vepër shtetërore mafioze. Mafia me shtetin të bashkuar”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës nuk ka pasur kurrë dëshirë për të zbardhur vrasjen e Jan Prengës, ndërsa tha se për vrasjen e tij janë akuzuar kamerierët dhe Altin Hjari është i lirë.
“E gjitha kjo për të mbyllur aferën sepse ju e dini se për Jan Prengën u akuzuan kamarierët e Altin Hajrit, ndërsa Altini është i lirë. Altini pastron oborrin. U detyrua të nisë kunatin e tij të kryejë vrasjen publike. Vrasja mafioze e djeshme është dëshmi e bashkëpunimit si një sipërmarrje e përbashkët e krimit me shtetin. Ndryshe Dedja duhej të ishte një dëshmitar i çmuar, por nuk pati kurrë dëshirë për të zbardhur vrasjen e Jan Prengës. Këto që shihni ju, dosjet, që të gjitha vijnë nga jashtë.”, u shpreh Berisha.