Një numër i madh i qytetarëve iu drejtuan Avokatit të Popullit me ankesa se në Listën zgjedhore, në adresë të tyre, akoma ka njerëz tjerë. Disa prej këtyre njerëzve kanë dorëzuar edhe ankesa, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.
Lista zgjedhore është mbyllur dhe votuesit e mbetur fantomë, të regjistruar me adresa të caktuara në Maqedoni, nëse paraqiten të dielën do të kenë të drejtë të votojnë, sepse letërnjoftimet e tyre janë valide edhepse MPB tashmë i ka anuluar.
Qytetarët që tani janë në dyer të Avokatit të Popullit, sapo kishin vërejtur emra të panjohur në adresat e tyre kishin shkuar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Ndërsa Komisioni i kishte drejtuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. MPB kishte vërtetuar se letërnjoftimet ishin nxjerrë pa bazë dhe kishte sjellë vendim për anulimin e tyre dhe ndalesë që këto votues fantomë sërish të mund të fotografohen e të nxjerrin letërnjoftime të reja. Por, pasi MPB nuk mundi t’i gjejë votuesit fantomë që t’ua shqiptojë vendimin, ky vendim mbetet i pavlefshëm, kurse letër-njoftimet e “anuluara” vazhdojnë të vlejnë. Kështu, nëse paraqiten votuesit fantomë nga Pusteci për të votuar të dielën, ata kanë të drejtë të votojnë, sqaruan nga Avokati i Popullit.