Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të kthejë në listën zgjedhore votuesit e kontestuar që nuk kishin të drejtë vote më 11 dhjetor. Bëhet fjalë për 29 858 votuesit të cilët u ndanë në listë të veçantë duke u etiketuar si të dyshimtë dhe nuk u paraqitën për të vërtetuar të drejtën e tyre të votës edhe pas dy afateve që kishin në dispozicion, transmeton Alsat M. Nga KSHZ-ja thonë se gjendja e re e listës zgjedhore, duke i përfshirë edhe këto persona, do të publikohet pas muajit mars.
Nga KSHZ-ja bëjnë me dije se do të respektojnë dispozitat e Kodit Zgjedhor ku parashihet që pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2016, të gjithë votuesit e kontestuar të kthehen si pjesë e listës. Gjendja e re e listës zgjedhore, me këto ndryshime duke përfshirë edhe votuesit e kontestuar, do të publikohet sipas dispozitave për azhurnimin e listës në tremujorin e parë të vitit.
Në listën zgjedhore, nuk do të kthehen vetëm dhjetëra emra që u fshinë gjatë procesit të pastrimit të listës pas kontrolleve administrative dhe në terren që zbatoi ky institucion në tentim për të zbuluar votuesit e ashtuquajtur fantazmë.