Kuvendi ka caktuar për sot në ora 17:00 seancën ku do të shqyrtohet Ligji për Prokurorinë Publike për të cilin tanimë ka mbështetje nga tetë deputetët e pavarur nga VMRO-DPMNE, ndërsa vazhdojnë ta kundërshtojnë ish bashkëpartiakët e këtyre të fundit. Deputeti i LSDM-së Jovan Mitreski në një konferencë për shtyp nga Kuvendi akuzoi opozitën maqedonase se kanë penguar qëllimisht Ligjin për Prokurorinë Publike për të shpëtuar krimin në vend nga drejtësia.
Jovan Mitreski, LSDM
“VMRO-DPMNE-ja ka qenë desktruktive duke e penguar sjelljen e ligjit për Prokurorinë Publike dhe për një vit të tërë e ka bokjotuar. Për të gjithë vitin e ka penguar ligjin duke favorizuar në këtë mënyrë mafien dhe kriminalitetin në vend. VMRO-DPMNE-ja ka bërë pazar me të gjitë kriminelët për të sjellë Ligjin e Prokurorisë Publike. Ndërsa, ftojmë të gjithë deputetët të votojnë ligjin që do të sillet në Kuvend, ftoj edhe ata të VMRO-së të ndërgjegjësohen. Nuk e di nëse deputetët VMRO-DPMNE-së do ta bëjnë një gjë të tillë por i ftoj të marrin pjesë. Në fund besoj se do arrimë në një konsensus”
Nga BDI kanë ngritur dyshime se propozimi për të cilin janë dakorduar me partnerin e koalicionit, LSDM, mund të ketë ndryshuar në fazën përfundimtare që sot është procesuar në Kuvend.
Kryetari i Komisionit për çështje evropiane, Artan Grubi ka thënë sot se nëse teksti është i njëjtë do të hapet në seancë, por fillimisht la hapësirë që të shohin përmbajtjen përfundimtare.
Artan Grubi, BDI
Sapo arriti teksti për Ligjin e Prokurorisë Publike, duhet të vërtetojmë nëse bëhet fjalë për verzionin e njëjtë që mbrëmë e dakorduam dhe ku u inkorporuan vërrejtjet tona ose ka ndryshime në propozimim e Qeverisë. Nëse ligji është i njëjtë, vetëm atëherë do të vendoset në rend dite në Komisionin për çështje evropiane dhe do të ketë kohë të votohet deri në shpërbërjen e Kuvendit të planifikuar për më 12 shkurt”
E, derisa nga BDI kanë dyshime, nga Aleanca për Shqiptarët konfirmuan se sigurt teksti është ndryshuar nga versioni për të cilin ata janë dakorduar me ministrinë e drejtësisë. Deputeti Syrija Rashidi tha se neni 110 është i papranueshëm për ta pasi amneston krimin.
Syrija Rashidi, Aleanca për Shqiptarët
“Rreth ligjit të Prokurorisë Publike kemi pasur vërejtjet tona dhe propozimet tona. Një pjesë e propozimeve tona janë marrë edhe parasysh. Por për fat të keq nga ajo që po shohim versioni i fundit që po del në dritë ka një ndryshim drastik në nenin 110. Në këtë nen sugjerohet amnisti e përgjithshme për të gjitha ata që janë përfshirë në krim dhe korrupsion. Qëndrimet e Aleancës për Shqiptarët lidhur me këtë çështje kanë qenë parimore dhe ne nuk do të mbështesim asnjë ligj që ka për qëllim amnistinë e kriminelëve dhe të korruptuarave. Ky nen nuk ka qenë kështu kur e kemi diskutuar me Ministren e Drejtësisë”
Ligji për Prokurorinë Publike ka afat për t’u miratuar deri më 12 shkurt kur është planifikuar edhe shplërbërja e Kuvendit. Por nga LSDM disa herë kanë përsëritur qëndrimin se shpërbërja e Kuvendit mund të shtyhet për të kapur afatet e Ligjit të Prokurorisë dhe shtyrja e shpërbërjes nuk obligon edhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve.



