Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ushtruar sot të drejtën e saj të votës në Shkollën “Shkëndija” në Hajvali, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu.
Pas votimit, Osmani u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në procesin zgjedhor, duke theksuar se vota e tyre është çelësi për tejkalimin e krizave politike dhe krijimin e institucioneve të reja.
Ajo shprehu bindjen se ky proces do t’i kontribuojë forcimit të demokracisë dhe stabilitetit institucional në vend.
“Uroj për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës një proces zgjedhor të rregullt, një proces që i kontribuon demokracisë në vendin tonë dhe krijimit sa më të shpejtë të institucioneve, në mënyrë që Kosova të dalë nga krizat e njëpasnjëshme”, deklaroi Osmani.
Presidentja theksoi se funksionalizimi i institucioneve është në interes të qytetarëve dhe do ta forcojë pozitën e Kosovës si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Në deklaratën e saj, ajo falënderoi gjithashtu institucionet e sigurisë, drejtësisë dhe mediat për angazhimin gjatë ditës së zgjedhjeve, duke vlerësuar rolin e tyre në mbarëvajtjen e procesit demokratik.
Osmani u shpreh optimiste se rezultati i dalë nga vullneti i qytetarëve do të krijojë mundësinë për formimin e shpejtë të institucioneve të reja.
“Jam e bindur që me votën e qytetarëve sot do të mundësohet rruga drejt krijimit të shpejtë të institucioneve dhe do të dalim nga krizat e njëpasnjëshme që e kanë dëmtuar vendin tonë”, tha ajo.
Në fund, presidentja shprehu besimin se dita e sotme do të jetë një ditë e rëndësishme për Kosovën dhe për të ardhmen e saj politike.


