Alsat 2019-07-08T16:08:32+02:00
Asnjë lëvizje konkrete në drejtim të zgjedhjes së zv.drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare. Nga Qeveria konfirmojnë se akoma nuk është propozuar asnjë emër nga drejtori aktual Viktor Dimovski, i cili e gëzon këtë kompetencë, që më vonë emri i tij të mund të miratohet nga ekzekutivi. Edhe pse nuk ka dispozitë të qartë që përcakton përkatësinë etnike të zv.drejtorit, do të jetë e vështirë që për këtë pozitë të gjendet kuadër shqiptar. Nga rreth 80 të punësuar në DSK, vetëm 5 janë në pozita drejtuese, kurse vetëm 3 prej tyre i plotësojnë kriteret ligjore për pozitën e zëvendësit të Dimovskit. Mëgjithatë, ligji nuk përjashton as opsionin e përzgjedhjes së një zëvendësdrejtori nga jashtë MBP-së, ashtu siç ishte rasti edhe me vetë Viktor Dimovskin i cili erdhi nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Vonesa sa i takon konsolidimit të Agjencisë për Siguri Kombëtare ka edhe në definimin e akteve, atë të selektimit të të punësuarve, përpilimin e pyetësorit për filtrimin e tyre si dhe aktit të sistematizimit. Pas përpilimit nga komisionet kompetente për përzgjedhje dhe sistematizim brenda ASK-së, aktet duhet poashtu të miratohen në Qeveri. Nga ekzekutivi nuk ka asnjë konfirmim edhe rreth këtyre procedurave. Siç mëson Alsat, nëse komisionet përfundojnë në kohë punën, Qeveria mund të shqyrtojë dhe të kalojë aktin dhe pyetësorin për selektimin e të punësuave deri në fundjavë ose në fillim të javës së ardhshme. E gjithë procedura e konsolidimit të kuadrit të ASK-së duhet të përfundojë në gusht.
Ligji për ASK-në
Komisioni është i obliguar të zbatojë procedurën për përzgjedhje dhe të zgjedhë të punësuar nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim të cilët do të merren në vend pune në Agjenci, më së voni më 20 gusht të vitit 2019.
Agjencia për Siguri Kombëtare duhet të fillojë zyrtarisht punë më 1 shtator të këtij viti.
Fatlume Dervishi
Loading…



