Eurodeputetja dhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka shprehur shqetësimin për protestat e dhunshme në Maqedoninë e Veriut.
Në një postim në Twitter, Viola Von Cramon bën përgjegjës Bashkimin Europian që dështoi në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa i bën thirrje të përshpejtojnë veprimet.
“Kur Shtetet Anëtare të BE dështojnë të japin shpërblim të prekshëm për qeveritë progresive në Ballkanin Perëndimor, ne kemi trazira në Maqedoninë e Veriut dhe potencialisht Mal të Zi që mund të shfrytëzohen nga Rusia dhe aktorë të tjerë të huaj. Ka ardhur koha që Bashkimi Europian të kuptojnë dhe të përshpejtojnë veprimet e tyre”, shkruan eurodeputetja.
Kujtojmë që protestat e dhunshme në Shkup kanë vijuar për të pestën ditë radhazi kundër propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë.
Të shtëna me armë u regjistruan në sheshin Skënderbeu duke nxitur shkëmbime akuzash mes qeverisë dhe opozitës.
Kryetari i opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski pretendoi mbrëmë se ka qenë në shënjestër të sulmit me armë.