Një 24 vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Fier pasi në mënyrë të paligjshme vidhte automjete e më pas i shiste ato.
Në pranga ka rënë i riu Markos Berberaj.
Përgjatë një jave, Berberaj ka vjedhur një automjet, e më pas e ka shitur në fshatin Barbullinjë, ndërsa një makinë tjetër e kishte marrë me qira në Fier, e kishte për qëllim shitjen e saj në Sarandë.
Përmes operacionit policor të koduar “The Robber”, u arrestua në flagrancë në momentin që po shiste automjetin e marrë me qira në një servis në Sarandë.
Njoftimi i policisë
Policia e Fierit finalizoi operacionin e koduar “The Robber”, duke arrestuar një 24-vjeçar i dyshuar si autor i vjedhjes së dy automjeteve me qëllim shitjen e tyre.
I arrestuari është shtetasi Markos Berberaj, 24 vjeç.
“Komisariati i Policisë Fier, pas kallëzimit nga një shtetase, se i kishin vjedhur automjetin që kishte në përdorim, kanë kyer hetimet me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e këtij rasti. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “The Robber”, u ndalua shtetasi:
Markos Berberaj, 24 vjeç, banues në Fier.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi M. B., gjatë një jave, ka vjedhur 1 automjet, të cilin e ka shitur në fshatin Barbullinjë, ndërsa automjetin tjetër e ka marrë me qira në Fier, me qëllimin për ta shitur në Sarandë.
Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të këtij shtetasi, në momentin që do shiste automjetin, në një servis në Sarandë, dhe më pas arrestimin e tij.