Rrënimi i ndërtesës pa leje para qendrës tregtare “Mavrovasja” vazhdon të mbetet tema për të cilën opozita akuzon pushtetin për veprim selektiv ndaj ndërtimeve pa leje. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski, i cili dje kërkoi që eskavadorët që rrënuan objektin tek “Mavrovasja” të drejtohen kah Kodra e Diellit, sot tha se pushteti vazhdon të fsheh disa përgjigje për rastin në qendrën tregtare
Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së
“Nuk dihet as se si erdhi deri në ndërtimin e disa kateve të betonit në mes të Shkupit, më pak se një kilometër nga objekti i Qeverisë, akoma më pak nga sheshi qendror dhe në mënyrë direkte përballë një ndërtese gjyqësore. Ajo që Zaevi dhe Ahmeti e fshehin sikur gjarpëri këmbët, është se si deri dje investitori i quajtur ‘i panjohur’ dhe ‘misterioz’ përnjëherë u bë i njohur edhe atë me dokumente për legalizim në duar dhe me një llogari për detyrimet e paguara, për më tepër me dokumentet e lëshuara nga Qyteti i Shkupit Petre Shilegov? Dhe askush nuk e ka demantuar këtë”
Stoillkovski tha se ndërtesa pa leje para qendrës tregtare ‘Mavrovasja’ është e njejtë sikurse të ashtuquajturat ‘Kulla mbretërore’ të Zaevit, për të cilat kërkoi zgjidhje ligjore dhe akuzoi Zaevin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së
“Në Strumicë shtrihet një kompleks i quajtur ‘Kullat mbretërore’ objekt i ndërtuar shumë më vonë, pas skadimit të afatitt të dhënë në ligjin për legalizim të objekteve pa leje.
Ligji për legalizim ishte preciz, kusht që diçka të jetë lëndë për legalizim, ishte që ai objekt të ketë qenë i ndërtuar më së voni më 3 mars të vitit 2011. Por inçizimet satelitore të 10 marsit të 2011-tës, një javë e plotë pas skadimit të afatit të dhënë, tregojnë se nuk kishte kompleks. Në dokumentin për legalizim, të nderuar, ekziston nënshkrimi i Zoran Zaevit. Ndërtimi pa leje në qendrën tregtare ‘Mavrovasja’është e njejtë sikurse ndërtesa pa leje ‘Kullat mbretërore”.
Përndryshe, gjatë ditës së djeshme numri një i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov tha se në territorin e qytetit aktualisht janë 140 ndërtesa pa leje, për të cilat siç tha ai, Qyteti i Shkupit nuk ka ingerenca. Shilegov u bëri thirrje të gjitha institucioneve që të bëjnë punën e tyre.




