Komisioni për Çështje Europiane, si komision amë i këtij projekt ligji, ka caktuar seancë më 22 nëntor, ku pikë të vetme ka propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve, në fazën e dytë.
Kalimi i këtij ligji në fazën e dytë pa debat publik ka ngjallur pakënaqësi te opozita maqedonase. Në emër të deputetëve të koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE, deputeti, Ilija Dimovski, kërkoi që Kuvendi të organizojë debat publik, që, sipas tij, paraprakisht e ka premtuar shumica parlamentare.
“Kuvendi, para se të mbajë seancë për lexim të dytë, për shqyrtimin e amendamenteve, zyrtarisht, të organizojë debat publik për propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve, në të cilin duhet të ftohen sa më shumë ekspertë, profesorë, persona publikë, njerëz që kanë qenë të përfshirë në këto procese edhe në të shkuarën dhe njerëz që kanë qenë të përshirë në bisedimet për Marrëveshjen e Ohrit, në vitin 2001”,- deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Mirëpo, kryetari i Kuvendit, duke u thirrur në Rregulloren për punë të Kuvendit, tha se një gjë e tillë nuk është kërkuar para miratimit të pr/ligjit në fazën e parë dhe pa një vendim të tillë të Kuvendit nuk mund të organizohet debat publik.
“Kuvendi i RM-së, pas mbarimit të diskutimit të përgjithshëm dhe pas vendimit për pr/ligjin, nuk doli me propozim dhe as vendim që shumica të votojë për organizimin e debatit publik për këtë ligj. Një vendim i tillë do të vihej në procedurë, ashtu siç e parasheh neni 146, dhe kështu më radhë”,- tha kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi.
Deputetët e VMRO-së do t’i drejtohen kryetarit të Kuvendit me propozim vendim, që në një seancë të radhës të merret vendim për organizimin e dabatit publik për Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Ndryshe, në seancën e caktuar për më 22 nëntor, Komisioni për Çështje Europiane do të fillojë shqyrtimin e amendamenteve të paralajmëruara si nga shumica parlamentare, po ashtu edhe nga opozita.