Gazetar: Adrian Kerimi
Opozita kërkoi nga kryeministri Dimitar Kovaçevski të konstatojë nëse kriza energjetike, ekonomike, politike dhe identitare janë bazë e mjaftueshme për zgjedhe të parakohshme parlamentare. Aleksandar Nikollovski i kujtoi kreut të organit ekzekutiv se partia e tij erdhi në pushtet me premtimin për jetë më të mirë, ndërsa pyeti nëse sot në Maqedoni të Veriut jetohet mirë ose jo.
“Mohim i drejtpërdrejtë i identitetit maqedonas, gjuhës maqedonase, kulturës, historisë, traditës dhe popullit maqedonas. Maqedonia bëri kompromis të dhimbshëm dhe e ndryshoi emrin kushtetues. Që kjo të mos jetë e mjaftueshme, në ndërkohë po na ndodh katastrofa ekonomike, inflacioni lulëzon, në disa produkte madje mbi 100 për qind dhe energjia elektrike rritet çdo ditë e më tepër. A mendoni se në Maqedoni jetohet mirë dhe a mendoni se është koha të jepni dorëheqje dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
I pari i ekzekutivit u përgjigj se shumica parlamentare ka qëndrim të unifikuar mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për shkak se ju ngritët dilema në shumë diskurse, do të ju përgjigjem pse jo. Për momentin kemi Qeveri e cila kujdeset për interesat kombëtare dhe dinjitetin e qytetarëve pa i ndarë ata në baza etnike ose fetare. Kujdesemi pa dallime për të gjithë”, u përgjigj Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Javën e kaluar gjatë shpalosjes së propozimit francez para partnerëve të koalicionit, kryeministri Kovaçevski dhe partnerët e koalicionit qeverisës morën qëndrim të përbashkët se zgjedhje të reja parlamentare nuk do të ketë deri në vitin 2024. /Alsat.mk