VMRO-DPMNE ka vazhduar edhe sot me akuzat kundër LSDM-së, duke e akuzuar liderin e saj Zoran Zaev dhe kryesinë e partisë se po shesin interesin kombëtar vetëm për të hyrë në pushtet. Në kumtesë për media nga partia e Gruevskit shkruajnë se, “Krimineli Zaev dhe shoqëria kriminele në krye të LSD-së me këmbëngulje po e shtyn Platformën e Tiranës dhe nuk tërhiqet nga realizimi i saj”.
Sipas VMRO-DPMNE-së, Zaevi për amnestimin e tij personal për krimet që i ka bërë ka vendosur që ta bëjë Maqedoninë dygjuhëshe, ta shpallë për gjenocit popullin dhe shtetin e tij, ta ndryshoj emrin sipas linjës greke dhe ta federalizoj shtetin.
Nga partia e Gruevskit thonë se qytetarët janë mashtruar pas zgjedhjeve dhe se Zaevi u ka servuar diçka për të cilën nuk kanë votuar në zgjedhje. /SHENJA/