VMRO-DPMNE do ta mbështesë qeverinë e ardhshme vetëm nëse LSDM plotësisht e refuzon platformën shqiptare, siç e quajnë nga partia e e Gruevskit “platformën nga Tirana”.
Sipas VMRO-DPMNE-së, realizimi i platformës së përbashkët të partive shqiptare do të nënkuptonte ridefinim të tërësishëm të shtetit, shndërrimin nga multietnik në shtet binacional që në fazat më të vonshme do të federalizohet, kantonizohet dhe do të ndahet.
“VMRO-DPMNE nuk do të lejojë realizimin e një skenari të tillë i cili është në kundërshtim me interesat shtetërore dhe nacionale, dhe do të qëndrojë në anën e popullit i cili në zgjedhje nuk votoi për platformën nga Tirana. Përkundrazi, shumica e qytetarëve e mbështetën programin e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” dhe VMRO e ka për obligim që ta respektoj vullnetin e votuesve”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Riafirmimi i qëndrimit të Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së për mbështetje të LSDM-së për formimin e Qeversë, nëse partia e Zaevit e refuzon platformën e partive shqiptare, është marrë në seancën e djeshme pas analizave të bëra për situatën politike pas arritjes së marrëveshjes mes LSDM-së dhe BDI-së me të cilën Zaev siguroi nënshkrimet për marrjen e mandatit nga presidenti Ivanov.
“Jotransparenca e gjithë procesit dhe fshehja e marrëveshjes, sjell dyshime të mëdha për rreziqet që i përmban e njejta. Sipas Komitetit Ekzekutiv arritja e marrëveshjes pas dyerve të mbyllura me të cilën vendoset për të ardhmen e Maqedonisë unitare, sovrane dhe multietnike, krijon tensione në vend dhe e ngjall mllefin mes qytetarëve. Dëmet e shkaktuara nga veprimet e këtilla mund të jenë shumë të mëdha”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.

