Nga VMRO-DPMNE thonë se LSDM dhe Venko Filipçe po tregojnë standarde të dyfishta lidhur me projektin “Safe City”. Sipas tyre, deputetët e LSDM-së në Kuvend kanë votuar kundër ligjeve për zbatimin e projektit, edhe pse publikisht deklarojnë se janë kundër vozitjes pa leje drejtimi.
VMRO-DPMNE thekson se projekti “Safe City” synon të rrisë sigurinë në komunikacion dhe të identifikojë shkelësit e ligjit, përfshirë ata që drejtojnë automjete pa leje apo të paregjistruara.
Nga kjo parti shtojnë se gjatë kohës kur LSDM ishte në pushtet, nuk është realizuar asnjë projekt digjital për kontrollin e trafikut. Sipas tyre, tani që po vendoset një sistem i ri për siguri dhe rend në komunikacion, LSDM dhe Filipçe votojnë kundër, gjë që, siç thonë ata, tregon standarde të dyfishta.


