VMRO-DPMNE, përmes një komunikate, akuzon LSDM-në dhe udhëheqjen e saj se, në mungesë të ideve politike dhe zgjidhjeve konkrete, po përpiqen sërish të shkaktojnë shqetësim te qytetarët përmes, siç thonë ata, lajmeve të rreme dhe dezinformatave.
Nga VMRO-DPMNE pretendojnë se kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, derisa ndodhet për pushime në Egje, përmes strukturave partiake ka dhënë udhëzime për përhapjen e panikut në rrjetet sociale lidhur me cilësinë e ujit në Shkup.
Sipas partisë, derisa Filipçe dhe ish-kryeministri Zoran Zaev ndodhen me pushime në Egje, ata kanë zgjedhur të bëjnë politikë përmes, siç pretendohet në komunikatë, përhapjes së dezinformatave dhe krijimit të frikës te qytetarët.
VMRO-DPMNE vlerëson se përhapja e informatave për gjoja papërshtatshmërinë e ujit në Shkup është e papërgjegjshme, duke shtuar se institucionet kompetente kanë reaguar dhe i kanë mohuar këto pretendime me të dhëna zyrtare.
Nga partia njoftojnë gjithashtu se Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë aktivitete për të përcaktuar origjinën e informacionit dhe përgjegjësinë për përhapjen e tij.
VMRO-DPMNE porosit se Filipçe dhe LSDM-ja nuk duhet të luajnë me besimin e opinionit publik dhe me ndjenjën e sigurisë së qytetarëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me shëndetin e tyre.
Sipas partisë, lufta politike ka kufij, ndërsa LSDM-së i bëhet thirrje që, në vend të asaj që VMRO-DPMNE e quan “gënjeshtra dhe frikë”, të ofrojë vizion, zgjidhje dhe përgjegjësi.
Në komunikatë thuhet gjithashtu se Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE është e fokusuar në ekonomi, investime, paga, infrastrukturë dhe përmirësimin e standardit të jetesës, ndërsa LSDM-ja akuzohet për rikthim te “skenari i vjetër i dezinformatave dhe krijimit të kaosit”.



