VMRO-DPMNE, përmes një komunikate partiake, pretendon se gjatë periudhës kur Venko Filipçe ishte ministër i Shëndetësisë, Ministria dispononte qindra analiza që tregonin se uji i pijshëm ishte i papërshtatshëm, ndërsa opinioni nuk ishte informuar në kohë për rreziqet e mundshme.
Nga partia thonë se bëhet fjalë për rreth 400 analiza, në të cilat ishin konstatuar parregullsi të ndryshme në cilësinë e ujit. Sipas tyre, nuk ishin ndërmarrë masat e nevojshme dhe qytetarët nuk ishin paralajmëruar që të mos e përdornin ujin.
Në komunikatë përmenden disa raste që, sipas VMRO-DPMNE-së, ishin evidentuar në raporte zyrtare. Mes tyre është rasti i ujit të papërshtatshëm në Shtëpinë e Shëndetit në Makedonska Kamenicë, më 12 gusht 2021, si dhe në një çezmë para shkollës në fshatin Gumalevë, në komunën e Zelenikovës, më 27 korrik 2021.
Përmendet edhe një rast në Debarcë, më 29 qershor 2021, kur ishte konstatuar mungesë e klorit rezidual në ujësjellësin lokal.
Partia thekson se më 11 maj 2021, në Trebenishtë të komunës së Debarcës, ishte konstatuar ndotje mikrobiologjike me bakterin Escherichia coli. Ndërkaq, më 6 korrik të të njëjtit vit, në pushimoren Ponikva pranë Koçanit, analizat kishin treguar numër të shtuar të baktereve dhe prani të të njëjtit bakter.
Nga VMRO-DPMNE pyesin se përse, nëse këto informacione ishin të njohura për Ministrinë e Shëndetësisë, opinioni nuk ishte njoftuar në kohë dhe përse nuk ishin ndërmarrë masa për eliminimin e rrezikut.
Partia pretendon se heshtja në raste të tilla ngre çështjen e përgjegjësisë institucionale dhe kërkon nga Prokuroria Publike që ta hetojë hollësisht rastin, përfshirë edhe mundësinë e fshehjes së informacioneve dhe nëse, për shkak të mosveprimit, ishte rrezikuar shëndeti dhe jeta e qytetarëve.
Në komunikatë thuhet gjithashtu se tashmë janë dorëzuar denoncime në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nga VMRO-DPMNE presin zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë eventuale.
Sipas partisë, Filipçe, me heshtjen e tij si ministër, e ka shkelur edhe Betimin e Hipokratit.



