VMRO-DPMNE-ja kërkon që Marrëveshja mes shtetit dhe Behtel-Enkës për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D të jetë e qasshme për deputetët me certifikatë sigurie. Në këtë mënyrë, ata kërkojnë të qartësojnë dyshimet që kanë, se marrëveshja përmban pjesë të dëmshme.
“Kemi të drejtë të marrim dokumente që janë sekret shtetëror ose klasifikim më të ulët dhe kërkojmë që marrëveshja të na dorëzohet. Nuk duam që deputetët në Kuvend të votojnë për ndryshim të ligjeve të cilat kanë të bëjnë me marrëveshjen, kurse marrëveshja të mbahet fshehtësi. Sa më shumë që qeveria e mban marrëveshjen në fshehtësi, aq më të mëdha janë dyshimet se në marrëveshje ka klauzola të dëmshme për buxhetin e shtetit”, deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski përsëriti edhe një herë se marrëveshja është sekrete por që ajo i është dorëzuar Prokurorisë, pasi kjo e fundit e kishte kërkuar atë.
“Qeveria prej mbrëmë e autorizoi Ndërmarrjen publike për Rrugë shtetërore e cila ka pranuar kërkesë nga Prokuroria Publike ta dorëzoi marrëveshjen, që ta bëjë këtë. Për shkak se ata si marrëveshje komerciale përmbajnë sekret veprimtarie të kompanisë e cila është pjesë e marrëveshjes dhe ajo i proceson teknologjitë e saja të punës, strukturat e saja të punës të elementeve të shpenzimeve dhe të çmimeve dhe për shkak të besueshmërisë së të dhënave të mos vinë në dijeni të konkurrentëve të tyre, ata marrëveshje janë karakterizuar si të tilla”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Që marrëveshja të publikohet kërkon edhe opozita shqiptare, Lëvizja Besa. Sipas tyre, deputetët duhen të kenë qasje te marrëveshja e arritur.
“Unë vlerësoj që Korridori 8 është projekt me rëndësi kapitale, jo vetëm për shqiptarët, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për Ballkanin prandaj ne e kemi përkrahur dhe do ta përkrahim projektin e këtij segmenti të Korridorit 8 por mënyra se si po realizohet pas shpinës së opinionit, për më shumë, në fshehtësi të plotë edhe nga ligjvënësi, edhe nga deputetët, vlerësoj se ka vërtetë probleme serioze që duhet të analizohen dhe të shqyrtohen”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Deri tani, mediat kanë publikuar vetëm pak pjesë të marrëveshjes por askush nuk ka pasur qasje të marrëveshja e plotë e firmosur me Behtel-Enkën për Korridorin 8 dhe 10D. /Alsat.mk