Në 100 ditët e para të mandatit Qeveria ka zbatuar një sërë masash me të cilat përparohet mbrojtja sociale, përmirësohet dhe lehtësohet jeta e gjithë kategorive të qytetarëve të Maqedonisë. Kështu vlerësojnë nga LSDM-ja, të cilët përmes një kumtese thonë se Qeveria do të vazhdojë t’i realizojë reformat e planifikuara që përmirësojnë jetën e qytetarëve.
LSDM
“Deri në fund të këtij viti do të përfundojë ndërtimi dhe furnizimi i 13 çerdheve të reja për fëmijë, me çka rritet kapaciteti për 682 fëmijë deri në fund të vitit, ndërsa kjo tendencë do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2018. Dy herë në vit do të ketë harmonizim të pensioneve, sipas harxhimeve për jetesë dhe rritjes së pagave. Pas harmonizimit të fundit, pensionistët do të marrin 2160 denarë shtesë për tërë vitin 2017”
Ndaj kësaj ka reaguar VMRO-DPMNE-ja, prej nga thonë se gjatë 100 ditëve të kaluara asgjë nuk është bërë për qytetarët, përveç që shteti, siç thuhet në reagim, është në kulmin e kolapsit ekonomik.
VMRO-DPMNE
“Përderisa qytetarët presin përmbushjen e premtimeve për rroga minimale prej 16.000 denarëve, rroga mesatare prej 30.000 denarëve, rroga të mjekëve prej 100.000 denarë, LSD gjatë këtyre 100 ditëve zbatoi vetëm partizim dhe hajkë brutale partiake kundër secilit që nuk mendon si ata”
Në reagimin e VMRO-DPMNE-së ndaj njoftimit të LSDM-së se do të ndërtohen 13 çerdhe për fëmijët, nga partia e Gruevskit thonë se me paratë me të cilat Qeveria e ka futur në borxh shtetin, mund të ndërtoheshin 2.500 kopshte, ndërsa deri tani nuk është ndërtuar asnjë. Abdulla Berisha /SHENJA/

