Pas vendimit të presidentit Joe Biden, që të gjithë personat që shkelin Marrëveshjen e Ohrit dhe të Prespës, të futen në listën e zezë të personave të padëshirueshëm nga Amerika, zëvendëskryeministri Ljupço Nikollovski ka deklaruar se ky vendim i Bidenit është porosi për ata që bllokojnë proceset integruese të Maqedonisë së Veriut. Sipas Nikollovskit, SHBA-të kanë mbështetur fort këto dy marrëveshje, dhe siç shtoi, jo rastësisht vjen ky vendim nga Biden.
Lupço Nikollovski, zëvendës kryeministër
“Qytetarët vendosën të qëndrojnë prapa Marrëveshjes së Ohrit dhe Prespës dhe ato janë themelet e kësaj rruge të re, e kësaj shoqërie të re të transformuar, me marrëdhënie ndëretnike stabile, e orientuar drejt përparimit, integrimit dhe mendoj se kjo është porosi për të gjithë ata që i bllokojnë dhe duan t’i bllokojnë të gjitha proceset në shtet”.
Ndërkaq, edhe përkundër porosis së Bidenit, VMRO-DPMNE mbetet kundër Marrëveshjes së Prespës. Deputeti Antonio Milloshovski për “Sloboden Peçat” ka thënë se bëhet fjalë për korrnizë e cila definohet periodikisht dhe me të cilën SHBA i mbron interesat e saja nacionale.
Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE
“VMRO-DPMNE si parti ka detyrim dhe obligim që t’i mbrojë interesat nacionale dhe shtetërore. Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së për Marrëveshjen e Prespës është si në vijim: VMRO-DPMNE nuk ka marrë pjesë në bisedimet, krijimin dhe sjelljen e saj në Kuvend dhe në implementimin e saj, i njejti është asimetrik dhe në kundërshtim me interesat nacionale”.
Ndërsa sipas tij, në listën e zezë të SHBA-ve, do të gjenden gjysma e Qeverisë së Zoran Zaevit.
Po ashtu edhe partia “E majta”, në komunikatën e partisë kanë shkruar se Marrëveshja e Prespës dhe e Ohrit, janë pjesë e politikës së jashtme imperialistike të SHBA-së, e cila operon me shtypje, sanksione, intervenime kërcënuese dhe ushtarake, dhunë politike.




