VMRO-DPMNE përmes komunikatës për media, njoftoi se nuk do të bisedojë dhe nuk do të lejojë ndryshim të Kushtetutës me qëllim vendosjen e dygjuhësisë në tërë territorin e vendit si dhe nuk do të pranoj vazhdim të mandatit të PSP-së. Në komunikatë VMRO-DPMNE, thotë se përpjekjet e saj janë ruajtja e rendit kushtetues të vendit dhe unitariteti i shtetit.
“PSP nuk ka asnjë lidhje me drejtësinë, ajo është një instrument politik në duar të një qendre fuqi dhe instrumentet e tyre vendore për të shantazhuar ç’do politikan i cili lufton për interesat nacionale të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. PSP është sustë e cila do të shtypet çdo herë kur dikush do të tentoj të mos luaj ashtu siç dëshiron dhe dikton dikush nga jashtë”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Sipas tyre, VMRO-DPMNE-së, PSP-ja është instrument për vazhdimin e krizës dhe mbajtjen peng të Maqedonisë.
“Për këtë arsye, ne nuk do të lejojmë asnjëherë që Maqedonia të vazhdoj të mbahet peng dhe të ekzistojë si instrument për të disiplinuar të gjithë ata që luftojnë për mbrojtje të interesave nacionale. Moslejimi i vazhdimit të mandatit të PSP-së nuk është frikë por guxim”, qëndron më tej në komunikatë.
Pas komunikatës së VMRO-DPMNE-së, kanë reaguar edhe nga BDI, të cilët thonë se përdorimi i gjuhës shqipe në mënyrë ë barabartë si maqedonishtja e bënë shoqërinë më të fortë
“Përdorimi i gjuhës shqipe në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, të barabartë me gjuhën maqedonase, e bënë shoqërinë më të fortë, më të bashkuar dhe më të qëndrueshme duke përmbyllur në këtë mënyrë obligimet normative nga Marrëveshja Paqësore e Ohrit”, kanë thënë nga BDI-ja.
Në komunikatës e saj BDI thotë se sundimi i së drejtës në vend është obligim i të gjitha partive politike dhe paraqet parakusht për vijim të rrugës еuroаtlantike.
“Reformimi i sistemit gjyqësor, transparenca dhe rishqyrtimi i proceseve të kontestuara gjyqësore janë detyrim i domosdoshëm për ta rikthyer besimin e qytetarëve në sistem. Qysh nga fillimi i krizës politike në vend, Bashkimi Demokratik për Integrim ka insistuar në përmbyllje transparente të procesit nëpërmjet të zbardhjes së tërësishme të skandalit të përgjimeve dhe bartjes së përgjegjësisë”, kanë thënë nga BDI.
Reagimet e këtilla të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së vijnë pasi kryetari i VMRO-DPMNE-së mori mandatin për formimin e Qeverisë së ardhshme, ndërsa BDI parashtroi tre kushtet e saj për formimin e Qeverisë.
Mefail Ismaili /SHENJA/