VMRO-DPMNE ka bllokuar miratimin e Ligjit për ndërtimin e Qendrës klinike, për çka LSDM e ka akuzuar opozitën maqedonase se vazhdojnë me pengesa, bllokada të zgjidhjeve të rëndësishme ligjore. Zëdhënësi i LSDM, Kostadin Kostadinov, tha sot se partia e drejtuar nga Hristijan Mickoski punon me çdo kusht në dëm të qytetarëve dhe të shtetit.
Kostadin Kostadinov
“VMRO-DPMNE këtu në Kuvend nuk heq dorë nga bllokimi i ligjit me të cilin shteti më në fund do të marrë një qendër të re moderne klinike pas gati 80 vjetësh. Deputetët e VMRO-DPMNE-së janë kundër përmirësimit të sistemit shëndetësor, kundër punëtorëve shëndetësorë, kundër shërbimeve më të mira shëndetësore për të gjithë qytetarët. Deputetët e VMRO-DPMNE janë gjithashtu kundër mësuesve dhe bashkëpunëtorëve profesional”
Kostadinov akuzoi VMRO-DPMNE-në se është poashtu edhe kundër mbi 4.700 mësuesve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë në arsimin fillor dhe të mesëm për të marrë punë të përhershme, për të marrë siguri ekonomike, si dhe kundër ushtarëve.
Nga VMRO-DPMNE konfirmojnë se bllokojnë Kuvendin dhe paralajmërojnë se këtë do ta bëjnë derisa Qeveria të pranojë të ulet dhe të bisedojë me opozitën për Ligjin për Ndërtimet pa Leje dhe Ligjin për Qendrën Klinike.
Nikolla Micevski
“Ligji për qendrën klinike do të bllokohet derisa të korrigjohet ligji prej 35 faqesh me të cilën ata duan të shpenzojnë gjysmë miliard euro dhe opozita të mos ulet dhe ta diskutojë për këtë. Më lejoni t’ju kujtoj, në vitin 2017, ministri Filipçe në këtë sallë së bashku me të gjithë anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë dhe të gjitha grupet parlamentare, prezantuan projekt se do të fillojë ndërtimi i një qendre klinike. Kjo ishte në vitin 2017. Ne jemi në mes të vitit 2021. Nuk ka as ‘K’ nga Qendra Klinike”
Duke ju përgjigjur akuzave për bllokimin e ligjeve të tjera, Micevski tha se për Ligjin për Shërbimin në Ushtri ka vërejtje të caktuara për të cilat ka pasur reagim nga grupe të caktuara të oficerëve në pension. Konkretisht për këtë ligj ai tha se opozita maqedonase ka dorëzuar katër ndryshime thelbësore që janë refuzuar nga deputetët e shumicës parlamentare.