Nën udhëheqjen energjike dhe përkushtimin e palëkundur të zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, investimet në Komunën e Tearcës po marrin hov të fuqishëm, duke u shndërruar në projekte konkrete që preken dhe ndihen nga çdo qytetar.
Së bashku me kryetarin e Komunës së Tearcës, Daut Memishi, dhe zv/drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Tahir Tairi, u realizua një vizitë në terren për të parë nga afër nisjen e punimeve për rikonstruktimin e rrugës lokale në Dobrosht, një projekt kyç që simbolizon ndryshimin e shumëpritur për banorët.
VLEN thekson se mbështetja e Ministrisë së Transportit ndaj Tearcës është e fuqishme, e vazhdueshme dhe plotësisht e orientuar drejt rezultateve. Aktualisht janë në realizim 7 projekte madhore me një vlerë prej rreth 2.1 milionë euro, që përfshijnë rikonstruktimin e rrugëve lokale në disa vendbanime si dhe investime të rëndësishme në rrjetin e kanalizimit fekal. Këto projekte nuk janë vetëm investime infrastrukturore, ato janë investime në dinjitetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Projekti në Dobrosht parasheh rikonstruktimin e plotë të 600 metrave rrugë, përfshirë ndërhyrje në pusetat ekzistuese, me një investim prej mbi 13 milionë denarësh. Ky projekt përfaqëson një hap konkret drejt modernizimit të infrastrukturës dhe krijimit të kushteve më të mira për jetesë dhe zhvillim lokal. VLEN mbetet e palëkundur në misionin e saj që premtimet të mos mbeten fjalë, por të materializohen në vepra konkrete. Me ritëm të lartë pune dhe përkushtim maksimal, Tearca po shndërrohet në një model të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të barabartë për të gjithë.


