Shkruan Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu për Almakos
Në politikë mund të hasen dy lloje zhurmash. E para është e natyrshme, kur njerëz të ndryshëm, me biografi dhe temperamente të ndryshme, përpiqen të ndërtojnë një vijë të përbashkët të lëvizjes dhe zhvillimit politik. E dyta është zhurmë e qëllimshme, e prodhuar për të fshehur thelbin. Këto ditë po shohim përpjekje që VLEN të paraqitet si një konstruksion i paqëndrueshëm dhe si një aleancë e përkohshme, që do të shpërbëhet në kthesën e parë. Ky narrativ nuk është ndërtuar rastësisht; ai është produkt i një strukture që, në pafuqinë dhe mungesën e ideve, nuk ka çfarë tjetër të ofrojë përveç manipulimit, dyshimeve dhe mjegullës politike.
Prandaj unë besoj, dhe kjo është një mesazh që e përsëris si parim politik, se në VLEN ideja e bashkimit është më e fortë se ideja e përçarjes. Jo sepse të gjithë jemi të njëjtë, por sepse e njohim mjaft mirë historinë e gabimeve tona. Sa herë që potenciali politik shqiptar është copëzuar, rezultati ka qenë fuqi më e vogël negociuese, më pak siguri institucionale dhe më shumë hapësirë për klientelizëm, qendra paralele, shantazhe dhe marrëveshje, çmimin e të cilave në fund e paguajnë qytetarët.
Kur them se VLEN do të bëhet shtëpi politike, nuk mendoj për një metaforë romantike që ofron strehim psikologjik. Shtëpia në politikë është institucion; ajo ka rregulla, përgjegjësi dhe një kulturë të ndërtuar vendimmarrjeje. Shtëpia ka një kod vlerash që vlen edhe kur është vështirë, jo vetëm kur është lehtë. Një koalicion mund të krijohet për zgjedhje, por një shtëpi politike ndërtohet për më shumë se një gjeneratë. Këtu qëndron dallimi thelbësor: proceset po largohen nga logjika e “mbledhur bashkë” dhe po lëvizin drejt logjikës së “ndërtuar bashkë”. Procesi i konsolidimit që po zhvillohet nuk mund të shihet si një ushtrim teknik, por si çështje e pjekurisë politike.
Një nga cilësitë më pak të kuptuara, por ndër më të rëndësishmet të VLEN-it, është modeli i decentralizuar i udhëheqjes. Në skenën tonë politike për një kohë të gjatë ka dominuar modeli “një njeri – një komandë”, pra disiplinë vertikale, privatizim i përfaqësimit nga lideri, vendimmarrje e centralizuar dhe kulturë partiake ku mendimi ndryshe trajtohet si tradhti. VLEN ecën në një rrugë tjetër. Te ne decentralizimi nuk është shprehje e kaosit; ai është shenjë e një arkitekture të ndërtuar mbi besimin, ku kapaciteti politik shpërndahet në disa qendra përgjegjësie dhe jo në një zyrë të vetme. Bëhet fjalë për demokraci të brendshme partiake në kuptimin evropian: debat që prodhon sintezë, dallim që kthehet në konsensus dhe vendimmarrje që legjitimohet përmes organeve partiake, e jo përmes përmbushjes së dëshirave individuale.
Në partitë e pjekura evropiane, forca nuk matet me atë sa i zhurmshëm është qendra, por me atë sa funksional është sistemi. Kur ke decentralizim, ke edhe korrigjim: asnjë grup nuk mund ta robërojë subjektin, asnjë ego nuk mund të bëhet rregull, asnjë vendim nuk mund të imponohet pa debat politik. Kjo është shenjë e pjekurisë politike dhe pikërisht për këtë arsye ky decentralizim i nervozon më së shumti ata që janë mësuar me monopol. Sigurisht, decentralizimi sjell edhe dukshmëri më të madhe publike të debateve, dhe në kushtet tona kjo lehtësisht shndërrohet në manipulim. Por në realitet, kjo është cilësi evropiane e kulturës partiake: e një partie që nuk ka frikë nga diskutimi, sepse e përdor atë për t’u bërë më e mirë. Dallimi qëndron te rezultati përfundimtar i këtij diskutimi: ai përfundon me marrëveshje dhe qëndrim unik, jo me shpërbërje.
Këtu arrijmë edhe te kritika ndaj BDI-së, një kritikë që duhet të jetë e argumentuar. Për vite me radhë, BDI e ndërtoi legjitimitetin e saj mbi pretendimin e ekskluzivitetit në përfaqësimin e shqiptarëve. Por monopoli nuk është vetëm kategori politike; ai është edhe kulturë: “ne jemi të vetmit”, “pa ne nuk ka stabilitet”, “nëse nuk jemi ne, do të ketë kaos”. Dhe kur një parti jeton për vite të tëra nga një narrativ i tillë, është e natyrshme që do të përpiqet ta ruajë atë përmes frikës, ndarjeve, helmimit mediatik dhe përmes përpjekjeve për të krijuar linja paralele brenda çdo alternative të re të zërit politik shqiptar.
Prandaj sot shohim konstrukte manipulative për përçarjen e VLEN-it. Kjo nuk ndodh sepse ata janë vërtet të interesuar për demokracinë tonë të brendshme, por sepse po humbin mekanizmat me të cilët për një kohë të gjatë kanë menaxhuar emocionin politik shqiptar. Kur nuk ka monopol, nuk ka as shantazh; dhe kur nuk ka shantazh, atëherë duhen rezultate. Pikërisht kjo është arsyeja pse strukturat e vjetra dhe të konsumuara historikisht bëhen nervoze. BDI dëshiron që shqiptarët të besojnë se çdo përpjekje për një arkitekturë të re është e përkohshme, sepse përkohshmëria e rikthen varësinë. Ndërsa VLEN pikërisht këtë e thyen: varësinë nga një qendër e vetme politike, tashmë e delegjitimuar.
Në momente të tilla duhet thënë edhe diçka parimore për ata që përpiqen ta mbajnë politikën në një gjendje të përhershme paqartësie. Unë nuk kam nevojë të hyj në kualifikime personale. Por si parim politik dhe si mesazh për elektoratin shqiptar, duhet të bëhet e qartë kjo vijë ndarëse: politika nuk është markë personale që ripozicionohet sipas konjukturës së interesit individual; përkundrazi, politika është përgjegjësi kolektive. Kur dikush lëviz vazhdimisht midis qëndrimeve, aleancave dhe dyerve politike që nuk i mbyll kurrë plotësisht, mund të krijojë përshtypjen e pragmatizmit. Por në të vërtetë, ndërsa minon vijën kolektive, ai ushqen konfuzionin. Në një kohë kur shqiptarët duhet të konsolidohen rreth parimeve dhe standardeve evropiane, çdo politikë që reduktohet në taktikë personale dhe jo në institucion kolektiv, është hap pas.
Unë e respektoj konkurrencën politike, por nuk e respektoj zakonin politik për të luajtur në disa anë, ndërkohë që qytetarëve u kërkohet të jenë besnikë vetëm ndaj njërës. Elektorati shqiptar meriton sinqeritet në raport me të; meriton qartësi se kush është me idenë e pjekurisë institucionale dhe bashkimit, dhe kush është me idenë se gjithmonë duhet të ekzistojë një rezervë, një alternativë e alternativës. Ky stil politike mund të jetë komod për individin, por është shumë i kushtueshëm për popullin. Shqiptarët nuk duhet të instrumentalizohen si publik i manovrave politike; ata duhet të jenë bartës të pjekurisë politike, të një besëlidhjeje ndaj parimeve, e jo ndaj momentit.
Për shqiptarët në Maqedoni, vlerat nuk janë luks; ato janë nevojë historike. Dinjiteti ndërtohet përmes institucioneve, standardeve dhe rregullave të barabarta. Prandaj VLEN mbart idenë e orientimit evropian: sundim të ligjit, institucione funksionale, merit-sistem dhe tolerancë zero ndaj keqpërdorimit të pushtetit publik. Evropa është më shumë se një përcaktim gjeografik; ajo është metodë: si zgjidhen kuadrot, si maten rezultatet, si ndëshkohet korrupsioni, si mbrohet interesi publik, si krijohet besimi. Dhe pikërisht këtu ndihet rezistenca më e madhe e strukturave të vjetra, sepse metoda evropiane nuk u përshtatet sistemeve që jetojnë nga lidhjet personale dhe qendrat joformale të pushtetit.
Historia politike shqiptare në këto hapësira është histori e luftës për dukshmëri, njohje dhe pranim, për barazi dhe dinjitet. Por faza moderne e kësaj historie nuk shkruhet më me simbole; ajo shkruhet me institucione. Sot, akti më patriotik nuk është të bërtasësh më fort, por të ndërtosh një sistem që funksionon: shkolla të prodhojë dije, spitali të shërojë, gjykata të japë drejtësi, administrata të ofrojë shërbim. Prandaj VLEN do të jetë shtëpia politike që e përkthen dinjitetin historik në kulturë moderne institucionale. Shqiptarët duan të jenë faktor, dhe kjo nuk arrihet kur je i përçarë dhe lehtësisht i manipulueshëm. Faktor bëhesh kur je i organizuar, i qëndrueshëm dhe i disiplinuar sipas standardeve evropiane.
Më e lehta është të jesh i bashkuar kur gjithçka është e qetë; por më e rëndësishmja është të mbetesh i bashkuar kur ka presion. Unë jam i bindur se VLEN është më shumë se një moment. VLEN është mundësi për të vendosur një normë të re në politikën shqiptare: një politikë me dinjitet pa monopol, me unitet pa frikë, me debat pa kaos dhe me institucionalizëm pa klientelizëm. Dhe prandaj e përsëris: ideja e bashkimit është më e fortë se ideja e përçarjes. Sepse vetëm të bashkuar rreth parimeve mund ta shndërrojmë besimin në forcë. E forca, në demokraci, ka vetëm një kuptim: të sjellë jetë më të mirë për qytetarët dhe ta bëjë kulturën politike shqiptare evropiane, moderne dhe të denjë për të ardhmen që kërkojmë.


