Përfaqësuesit e “Botës serbe” dhe mjeshtrit e dezinformatave, tashmë të njohur nga listat e zeza amerikane, sot sërish kanë shpërndarë lajme të rreme, duke inskenuar një “shqetësim” për faktin se një organizatë joqeveritare maqedonase nuk e kishte përfshirë gjuhën shqipe në një anketë të dedikuar për diasporën.
Si gjithmonë, edhe ky rast doli të jetë një fake news klasik, një tjetër blof i dalë nga repertori i propagandës së vjetër. Anketa në fjalë është hartuar nga një shoqatë plotësisht e pavarur, joqeveritare, dhe nuk ka asnjë lidhje me Qeverinë. Madje, ndryshe nga sa pretendojnë shpifësit profesionistë, anketa është në dispozicion edhe në gjuhën shqipe.
Edhe zëvendëskryeministri Arben Fetai ka demaskuar fushatën e orkestruar të BDI-së dhe satelitëve të saj mediatikë, të cilët dje tentuan të manipulojnë opinionin publik me një tjetër gënjeshtër ordinere.
Përfaqësuesit e “non gratave” po përpiqen me çdo kusht të shpikin lajme, sepse fabrikimi i gënjeshtrave u ka mbetur si mjeti i fundit për të fituar ndonjë pikë politike. Por faktet janë të qarta dhe nuk zhbëhen me zhurmë.
Përkundrazi, sot, falë qeverisjes sonë, konkretisht zëvendësministrit të Arsimit, Lulzim Aliu, është hapur për herë të parë në Berlin klasa për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e mërgatës sonë, një hap historik që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në të kaluarën. Ky është realiteti që i dhemb atyre që për dekada e lanë pas dore gjuhën, identitetin dhe diasporën shqiptare.
U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e propagandës së ulët, por të qëndrojnë të përkushtuar ndaj të vërtetës dhe vlerave që i bashkojnë.
Shpifjet nuk do të mbulojnë dështimet. Përgjigjen më të mirë ndaj gënjeshtrave dhe bllokimeve, qytetarët do ta japin në zgjedhjet e tetorit, aty ku vendoset e ardhmja.
VLEN me punë, jo me propaganda.