Pjesëmarrja e bashkëkryetarit të VLEN-it, Izet Mexhiti, në sesionin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ në Bruksel, pranë Komitetit Evropian të Rajoneve, e rikthen në vëmendje rolin e komunave në procesin e integrimit evropian.
Nga Brukseli, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Çairit dhe nënkryetarit të BNJVL-së, përcolli mesazhin se komunat duhet të jenë pjesë aktive e rrugës drejt Bashkimit Evropian. Ato janë hallkë e rëndësishme në zbatimin e reformave dhe në afrimin e standardeve evropiane te qytetarët.
Për VLEN-in, kjo është pjesë e qasjes sonë politike. Rruga evropiane e vendit nuk mund të ndahet nga pushteti lokal, nga komunat dhe nga shërbimet që qytetari i merr aty ku jeton.
Komunat janë adresa më e afërt e qytetarit. Aty kërkohet shërbim, përgjegjësi dhe zgjidhje konkrete. Kjo është edhe arsyeja pse decentralizimi është pjesë e rëndësishme e programit politik të VLEN-it. Sa më shumë fuqi dhe përgjegjësi të ketë pushteti lokal, aq më shpejt dhe më mirë mund t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve.
VLEN do të vazhdojë të angazhohet për komuna të forta, decentralizim funksional dhe standarde evropiane që qytetari t’i ndjejë në jetën e përditshme.


