VLEN thotë se me projektin për ndërtimin e parkingut nëntokësor te Sheshi “Skënderbeu”, më në fund do t’i jepet zgjidhje problemit shumëvjeçar të mungesës së hapësirave për parkim në Çair dhe rrethinën e Çarshisë së Vjetër. “Ky është një investim që u shërben drejtpërdrejt qytetarëve, bizneseve dhe ofertës turistike të këtij rajoni unik të Shkupit. Ky investim do të dyfishojë volumin e punës në Çarshinë e Vjetër”, në nga VLEN.
Kumtesa e plotë:
Projekti parasheh parking sipas standardeve bashkëkohore me kapacitet për qindra automjete, çka do të çlirojë hapësira publike dhe do të krijojë rregull në komunikacion. Investimi, i vlerësuar në disa miliona euro, do të financohet nga buxheti i shtetit, gjë që dëshmon qartë përcaktimin e Qeverisë për të investuar në infrastrukturë që mbetet përfitim i qëndrueshëm për qytetarët. Në këtë mënyrë, përmirësohet siguria në trafik, lehtësohen kushtet për bizneset lokale dhe mbështetet zhvillimi i turizmit në Çarshinë e Vjetër.
Investime të tilla, në kohën e BDI-së, nuk mund të mendoheshin as për Çairin, as për Tetovën, as për Strugën. Sot, Qeveria e VLEN-it dëshmon se është partner i vërtetë strategjik i komunave ku jetojnë shqiptarët, duke orientuar mjete dhe vëmendje drejt nevojave reale të tyre.
Qëndrimi ynë është i qartë: do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturë, shërbime publike dhe zgjidhje urbane që e përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Këto projekte janë pjesë e vizionit më të gjerë për modernizim dhe zhvillim, por edhe simbol i një politike të re, politikë veprash, e jo fjalësh boshe.
Qeveria e VLEN-it do të vazhdojë të ndërtojë bashkëpunimin ndërmjet pushtetit qendror dhe vetëqeverisjes lokale. Vetëm përmes këtij partneriteti mund të sigurojmë kushte të barabarta për të gjithë qytetarët dhe t’i ngremë komunat me popullatë shumicë shqiptare në nivelin që për vite të tëra ishte i kontestuar dhe i lënë pas dore.