Koalicioni politik VLEN, përmes një njoftimi publik, ka theksuar se synon të paraqitet si një alternativë e re në skenën politike shqiptare, duke u fokusuar në bashkim dhe përfaqësim më të gjerë të qytetarëve.
Në deklaratë, VLEN e përshkruan veten si një lëvizje që ka lindur nga pakënaqësitë ndaj, siç thuhet, politikës së vjetër, premtimeve të përsëritura dhe dominimit të figurave të njëjta në pushtet. Sipas tyre, kjo nismë po shndërrohet në një bindje të përbashkët se shqiptarët kanë nevojë për një qasje të re politike që i bashkon dhe nuk i ndan.
Koalicioni thekson se nuk synon të ofrojë vetëm deklarata politike, por një drejtim konkret për të ardhmen, duke vendosur në fokus ndërtimin e besimit dhe përgjegjësisë institucionale. Në të njëjtën kohë, kritikohet sistemi aktual politik, për të cilin thuhet se është i mbushur me pengesa dhe probleme të trashëguara.
Sipas VLEN-it, qëllimi është ofrimi i zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata, duke e konsideruar politikën si përgjegjësi publike dhe jo si interes të ngushtë.
Në fund të reagimit, koalicioni e cilëson këtë moment si të rëndësishëm për krijimin e një subjekti të fuqishëm dhe të bashkuar politik, duke dërguar mesazhin: “VLEN po vjen. Nëse jo sot, kur?”


