Në Vrapçisht u mbajt mbrëmë konventa promovuese e koalicionit VLEN në mbështetje të kandidatit të pavarur për kryetar komune, Zulhajrat Demiri. Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë me pjesëmarrje të madhe qytetarësh, strukturash lokale dhe drejtuesish të VLEN-it, të cilët përcollën mesazhin se komuna ka nevojë për ndryshim të vërtetë.
Përfaqësuesit e VLEN-it theksuan se qeverisja aktuale nuk ka përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe se është koha për fytyra të reja, më shumë përgjegjësi institucionale dhe një komunë në shërbim të qytetarëve.
Konventa vazhdoi në fshatin Gradec, vendlindja e Mehmet Pashë Derallës, ku Zulhajrat Demiri u prit me përkrahje të gjerë. Në fjalën e tij, Demiri deklaroi se fokusi i programit të tij do të jetë rinia, meritokracia dhe zhvillimi real i komunës së Vrapçishtit.
VLEN vlerëson se Demiri është figurë unifikuese me mbështetje të gjerë qytetare dhe vizion të qartë për përmirësimin e kushteve të jetesës, duke theksuar si prioritet zgjidhjen e problemit me ujin e pijshëm dhe menaxhimin më të mirë të komunës.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 11 janar, ndërsa nga VLEN apelojnë që qytetarët e Vrapçishtit të votojnë për ndryshim dhe qeverisje në interes të tyre.


