VLEN vlerëson se investimet infrastrukturore në Tetovë dëshmojnë se premtimet po shndërrohen në projekte konkrete, duke theksuar se qytetarët tashmë po i ndjejnë rezultatet e qeverisjes.
Në një kumtesë për media, VLEN thekson se promovimi i rikonstruksionit të rrugës “Shtipi”, nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, dhe zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, është dëshmi se zhvillimi realizohet përmes investimeve dhe jo premtimeve.
Sipas tyre, për rikonstruksionin e plotë të rrugës janë investuar mbi 17,5 milionë denarë, ndërsa projekti ka përfshirë ndërtimin e kanalizimit atmosferik, trotuareve, ndriçimit publik dhe vendosjen e sinjalistikës rrugore, me qëllim përmirësimin e sigurisë dhe kushteve të jetesës për banorët.
VLEN nënvizon se gjatë dy viteve të fundit të qeverisjes janë siguruar mbi 7 milionë euro për realizimin e 29 projekteve infrastrukturore në Komunën e Tetovës. “Kjo është dëshmi e qartë se kur ka vullnet politik dhe përgjegjësi, projektet realizohen dhe qytetarët përfitojnë”, thuhet në kumtesë.
Nga VLEN shtojnë se fokusi i tyre mbetet realizimi i investimeve dhe zhvillimi lokal, duke theksuar se rezultatet e punës janë të dukshme në terren. “VLEN nuk merret me propagandë dhe premtime boshe. Ne sjellim investime, zhvillim dhe rezultate konkrete në çdo komunë ku jetojnë qytetarët tanë”, thuhet në reagim.


