Koalicioni VLEN ka dalë me një deklaratë publike ku ngrit pyetje dhe akuza ndaj përfaqësuesve të BDI-së lidhur me menaxhimin e një projekti energjetik të lidhur me kompaninë boshnjake “Energoinvest”.
Në deklaratë, VLEN pyet se kush nga drejtuesit e BDI-së ka interes në mbrojtjen e kësaj marrëveshjeje, duke përmendur emra si Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani, si dhe pretendime për përfshirje të rrethit të ngushtë të tyre në kompani nënkontraktore.
VLEN i referohet edhe ish-zyrtarit të BDI-së, Bilen Saliji, i cili ka shërbyer si ish-ministër i Drejtësisë dhe më pas si drejtor i sektorit juridik në MEPSO. Sipas deklaratës, në periudhën kur ai ishte në këtë pozitë, janë ndërmarrë hapa për ndërprerjen e kontratës me “Energoinvest”, pasi, siç thuhet, kontrata ishte vlerësuar si jofunksionale dhe e dëmshme.
Koalicioni citon gjithashtu një vendim të Bordit të drejtorëve të datës 22.11.2023, ku thuhet se anëtarët kanë konstatuar mungesë përparimi të konsiderueshëm në projekt dhe mospërmbushje të detyrimeve nga kontraktori, duke hapur procedurë për ndërprerjen e kontratës.
Në deklaratë pretendohet se projekti ka pasur realizim shumë të ulët gjatë disa viteve, ndërsa janë shtuar kërkesa financiare dhe aneksime kontraktuale, duke sjellë kosto për shtetin.
VLEN akuzon se, ndonëse më herët përfaqësues të BDI-së kanë mbështetur ndërprerjen e kontratës, sot lidershipi i saj mbron marrëveshjen, gjë që sipas tyre ngre dyshime për interesa të fshehta.
“Ne po shfuqizojmë marrëveshjet e dëmshme dhe po realizojmë projekte infrastrukturore”, thuhet në fund të deklaratës së VLEN, ku përmendet edhe ndërtimi i lidhjes së parë elektroenergjetike me Shqipërinë.

