Politika mbi 20 vjet e ndërtuar me vetëpëlqim, mashtrime dhe arrogancë u shemb më 19 tetor si kulla prej letrave. Fitoret e VLEN-it në Çair, Saraj, Haraçinë, Zhëlinë, Tearcë dhe epërsia bindëse në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë, Bërvenicë e Dollnen janë përgjigjja e qartë e shqiptarëve ndaj PR-trukut “referendumi” që me muaj e trumbetonin treshja në agoni Ahmeti–Taravari–Sela.
Në Kërçovë u pa fytyra e vërtetë e kastës së vjetër politike. Kur shpërtheu skandali, përgjigjja ishte e njëjtë si për 20 vite me radhë “ta kalojmë edhe këtë, si çdo herë tjetër”. Kjo është filozofia që ka mbajtur peng shqiptarët, mbyll sytë, bëj sikur s’dëgjon, e nesër vazhdo sikur s’ka ndodhur asgjë.
Pas publikimit të materialeve komprometuese, koalicioni VLEN kërkoi tërheqjen e kandidatit të AKI-së nga gara për të mbrojtur dinjitetin e procesit. Por ai zgjodhi të vazhdojë, duke e vendosur Kërçovën në pozitë të padrejtë dhe duke dëshmuar se për këtë kastë politike pushteti është oksigjeni i fundit politik.
Kjo është pasojë e politikës që për vite ka ndërtuar gjithçka mbi arrogancë, gënjeshtra dhe pazare personale, duke menduar se çdo skandal “kalon për tre ditë”. Për koalicionin VLEN, siç kemi thënë, morali publik nuk negociohet. Ndaj, tani gjykimin duhet ta bëjnë vetë kërçovarët.


