Koalicioni VLEN ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për emërimin e Fadil Xhelilit si ushtrues detyre të Kryetarit të Komunës së Gostivarit dhe Bujamin Kadriut si ushtrues detyre të Kryetarit të Komunës së Vrapçishtit. Sipas koalicionit, ky vendim paraqet një masë të përkohshme dhe të domosdoshme për të siguruar funksionimin normal të institucioneve lokale deri në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale më 11 janar në të dy komunat.
Në njoftimin e VLEN theksohet se të emëruarit konsiderohen figura profesionale dhe të respektuara, të cilët pritet ta ushtrojnë detyrën me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim ndaj qytetarëve.
Koalicioni shpreh bindjen se administratat lokale në Gostivar dhe Vrapçisht do të vazhdojnë të funksionojnë pa pengesa dhe me transparencë të plotë gjatë periudhës tranzitore.
VLEN gjithashtu deklaron se pret një fitore të qartë në zgjedhjet e 11 janarit, duke theksuar se qytetarët do të zgjedhin udhëheqjen që, sipas tyre, garanton “ndryshim të vërtetë, qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillim të qëndrueshëm”.
Në fund, koalicioni riafrimon angazhimin e tij për t’i shërbyer interesit qytetar dhe për të kontribuar në një të ardhme më të sigurt për çdo komunë, duke e mbyllur njoftimin me moton: “VLEN për ndryshimin që vazhdon.”


