VLEN ka reaguar pas protestës së sotme të studentëve, duke deklaruar se çështja e gjuhës shqipe në provimet profesionale do të zgjidhet shumë shpejt.
Në një kumtesë për media, VLEN thekson se protesta u zhvillua për një padrejtësi të trashëguar ndër vite, duke akuzuar BDI-në për, siç thuhet, “20 vite manipulim me gjuhën shqipe”.
“Studentët protestuan kundër një padrejtësie nga koha e BDI-së. Të gjithë shqiptarët e dinë se provimi i jurisprudencës asnjëherë nuk është zhvilluar në gjuhën shqipe”, thuhet në reagim.
VLEN e ka cilësuar protestën si një të drejtë demokratike, por ka akuzuar kundërshtarët politikë për, siç thonë, tentim manipulimi të situatës. Në deklaratë përmenden edhe ish-zyrtarët Musa Xhaferi dhe Blerim Bexheti, të cilët akuzohen se nuk e kanë zgjidhur më herët këtë çështje.
Koalicioni gjithashtu njofton se është zhvilluar një takim mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe përfaqësuesve të VLEN-it, ku është diskutuar zgjidhja e problemit.
“Provimet shumë shpejt do të jenë edhe në gjuhën shqipe”, thuhet në kumtesë.
VLEN u bën thirrje studentëve të mos bien pre e manipulimeve politike dhe të kenë besim se çështja po trajtohet nga institucionet.
Në deklaratë gjithashtu i drejtohet ish-liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke e akuzuar për përdorim politik të situatës.


