Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka njoftuar organizimin e një proteste të hënën, në kundërshtim me verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Marshimi do të nisë në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve dhe do të vijojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu” në Prishtinë. Në orën 12:00, në shesh, përfaqësues të studentëve pritet të mbajnë fjalime dhe të përcjellin mesazhet e protestës.
Përfaqësuesi i Parlamentit Studentor, Flon Kastrati, tha se protesta synon të përcjellë një mesazh uniteti, dinjiteti dhe solidariteti në këtë moment që ai e cilësoi të rëndësishëm për Kosovën.
“Ky marsh është thirrje për unitet dhe e ka në qendër unitetin, si e vetmja zgjidhje deri në fjalën e fundit të drejtësisë. Marshi bën thirrje për unitet, dinjitet dhe solidaritet në një moment të rëndësishëm për vendin tonë”, deklaroi Kastrati.
Sipas tij, në marshim pritet të marrin pjesë edhe studentë nga universitete të tjera publike dhe private në Kosovë.
Parlamenti Studentor ka bërë të ditur gjithashtu se studentët kanë hartuar një memorandum me gjashtë pika. Dokumenti do të lexohet nga përfaqësuesit e studentëve gjatë aktivitetit dhe do të bëhet publik pas përfundimit të marshimit.



