VLEN akuzon se BDI prej vitesh është partneri politik më i rëndësishëm i strukturave që promovojnë konceptin e “botës serbe” në Maqedoni. Roli i tyre nuk është i rastësishëm, shton VLEN, por i qëllimshëm, sistematik dhe i dëmshëm për interesat shtetërore.
“Hyrja e M-TEL-it në tregun vendas, në kohën kur të gjitha ministritë kyçe të sektorit ekonomik dhe financiar ishin në duart e BDI-së. Pa pëlqimin e tyre politik, kompania shtetërore serbe e telekomunikacionit nuk do të merrte licencë dhe qasje në infrastrukturën strategjike të komunikimeve.
Përpjekja për futjen e nëntokës serbe dhe malazeze në biznesin e kazinove online, nën patronazhin dhe mbështetjen e plotë të ministrave të BDI-së në qeverinë e kaluar. Po të mos ndodhte ndryshimi i pushtetit, ky investim i kapitalit serb do të ishte tashmë realitet.
Kontaktet e vazhdueshme të Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit me regjimin e Aleksandar Vuçiçit, me të personalisht dhe me ministrat e tij, që kanë përfunduar në marrëveshje politike e ekonomike në favor të Beogradit dhe në dëm të interesave kombëtare të maqedonasve dhe shqiptarëve.
Roli i drejtpërdrejtë i Bujar Osmanit si Kryesues i OSBE-së në marrjen e qëndrimeve që i shërbenin Serbisë, ndërsa ushtronte presion ndaj Kosovës. Në vend që të mbronte të drejtën e Prishtinës, Osmani e përdorte pozitën e tij për të përkrahur diplomacinë serbe në forumet ndërkombëtare.
Zhvendosja e prioriteteve infrastrukturore duke lënë pas dore Korridorin 8, ku përveç fotografive nuk pati asnjë metër të ri rruge, në favor të Korridorit 10, pjesë e strategjisë për lidhje ekonomike e transporti me Beogradin.
Sot, BDI përpiqet të sulmojë dhe ta paraqesë VLEN si vazhdimësi të “botës serbe”, por faktet tregojnë të kundërtën: ata vetë janë zbatuesit kryesorë të planit për thellimin e ndikimit politik, ekonomik dhe diplomatik serb në Maqedoni.
BDI dëshiron që të harrohen të gjitha takimet e ngrohta dhe buzëqeshjet që Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani kanë shkëmbyer personalisht me Aleksandar Vuçiçin.
VLEN mbetet fuqishëm në anën e orientimit euroatlantik të shtetit dhe nuk do të lejojë që Maqedonia të bëhet pjesë e agjendave që e largojnë nga BE dhe NATO”, thonë nga VLEN.
MARKETING