Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me të përfunduar mandatin e saj, siç duket, do të rikthehet përsëri në garën politike.
Në bazë të burimeve të gazetës “Bota sot”, Osmani do të krijojë një parti të re politike, me të cilën synon që edhe njëherë të futet fuqishëm në skenën politike.
Madje këto burime, për “Bota sot”, thonë se edhe vizita në Zvicër dhe takimi i ngrohtë me shumë bashkatdhetarë, ishin një test për ta matur pulsin e përkrahjes që gëzon Osmani – test të cilin, padyshim që Osmani e kaloi me sukses.
Gazeta “Bota sot” ka provuar te marr nje qëndrim nga Presidenca dhe Osmani, por nuk janë përgjigjur në pyetjen e gazetës.
Por se takimi në Zvicër ishte një testim i përkrahjes që gëzon Osmani, e thotë edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Afrim Kasolli.
“Po, se a planifikon që Vjosa Osmani të rikthehet në jetën politike pas skadimit të mandatit të presidentes, këtë nuk mund ta them me siguri. Por po ashtu që vizita e saj në Zvicër si dhe takimet me bashkatdhetarët tanë i ngjanin turizmit elektoral të partive politike gjatë zgjedhjeve – as kjo nuk mund të mohohet”, shprehet Kasolli, i cili thotë se rikthimi i Osmanit me një parti politike varet nga ajo se si do të rrjedhin gjërat për zgjidhjen e presidentit të ri.
“Megjithatë, kjo do të varet edhe nga sa ka gjasa që ajo ta sigurojë një mandat tjetër si presidente. E në rrethanat aktuale, duket që ka pak vullnet politik dhe konsensus ndërmjet subjekteve parlamentare për një opsion të tillë. Tashmë marrëdhëniet e saj nuk janë ato çfarë ishin me Lëvizjen Vetëvendosje. Ndërkohë, nuk shihet një gatishmëri për ta mbështetur atë për një mandat tjetër as nga partitë tjera, sidomos nga PDK dhe AAK”, nënvizon Kasolli.
“E privuar nga pozita e presidentes, atëherë gjasat janë të mëdha që ajo t’i rikthehet jetës partiake. Po ashtu, edhe hulumtimet e opinionit publik tregojnë se ekziston një masë serioze e pëlqyeshmërisë së qytetarëve të Kosovës me punën e saj si presidente – një fakt ky i rëndësishëm për ta nxitur në këtë kthesë. Mirëpo, suksesi i saj i mundshëm varet edhe nga faktorë të tjerë: se sa do të jetë në gjendje që LDK si subjekt politik të shfaqet atraktive për atë kontingjent të votuesve që presidentja Osmani e kishte përvetësuar me anë të Listës Guxo, pas ndarjes së saj nga partia e dikurshme”, shpjegon më tej Kasolli.
Në rast se Osmani vendos të rikthehet në garën politike, Kasolli thotë se kjo do ta dëmtojë më së shumti koalicionin Vetëvendosje–Guxo.
“Ndërkohë, Lista Guxo, pavarësisht iluzioneve të Donika Gërvallës dhe Faton Peci-t, vështirë se do të mund të mbijetojë pa emrin e Vjosës. Madje edhe tkurrja elektorale e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2025 në raport me ato të vitit 2021, mund të shihet edhe si pasojë e tjetërsimit të raporteve politike të Vjosa Osmanit me Albin Kurtin. Një fakt ky që tregon se një aktivizim partiak i presidentes do të mund të dëmtonte edhe më tej elektoralisht koalicionin VV+Guxo”.
“Pra, sidomos te ajo shtresë e votuesve që janë të zhgënjyer nga (mos)puna e partneritetit VV+Guxo, por vazhdojnë po ashtu të jenë të pakënaqur edhe me LDK-në. Sepse të njëjtit, të ndodhur në mes të premtimeve të thyera të ‘pushtetit’ aktual dhe mungesës së shpresës në raport me shtëpinë e vjetër të dikurshme politike, mund të shndërrohen në burim të konsiderueshëm të mbështetjes politike për Vjosa Osmanin”, përfundon analisti Afrim Kasolli për gazetën “Bota sot”.