Alsat 2019-05-07T16:44:48+02:00
Në zonën qendrore të qytetit në kuptimin e plotë të fjalës “nuk mund të fluturonte mizë”, e të mos vërehej. Polici kudo. Rrugë të bllokuara pa trafik, shirita policor që nuk lejojnë parkimin e makinave për arsye sigurie. Masa të tilla të sigurisë nuk mban mend publiku i Maqedonisë së Veriut, kur bëhet fjalë për vizitën e një personi botëror në vend. Nga Ministria e Brendshme thonë se të gjitha kapacitetet e policisë u vunë në veprim. Por, sa policë dhe njësi speciale të martën e ruanin Papa Françeskun nuk morëm informacion, sepse një gjë e tillë sipas arsyetimeve është sekret.
Për këtë rast ne jemi duke u përgatitur një periudhë më të gjatë në bashkëpunim me Vatikanin dhe me shërbime të tjera miqësore, të gjitha masat e nevojshme janë ndërmarrë për të kaluar gjithçka në rregull. Ministria e Brendshme ka dëshmuar disa herë se ka kuadër, ka kapacitet të organizojë vizita të mëdha, ngjarje të mëdha. Kujtoni vetëm numrin e madh të shtetasve që erdhën përpara referendumit, t’ju kujtoj organizimin e madh të finales së Super Kupës”-tha Toni Angelovski, zëdhënës i MPB-së.
Por, sa ishte serioz niveli i sigurisë së Papës që qytetarët që jetojnë rreth sheshit Maqedonia, dhe sidomos aty ku po kalonte Papa, nuk u lejuan të hapnin dritare ose të dilnin në tarraca. E njëjta gjë vlen edhe për këtë zonjë dhe për shumë njerëz si ajo, që megjithatë kishte mundësi të ndiqte procesionin e Papës nga shtëpia, sepse ishte rreth njëqind metra nga manifestimi kryesor. Përveç nga toka, kryeqyteti ishte nën vëzhgim edhe nga qielli. Disa helikopterë vazhdimisht silleshin dhe patrullonin kudo që po lëvizte Papa Françesku.
“Nga mëngjesi i hershëm, zona qendrore e qytetit është nën një siguri të fortë policore për shkak të vizitës njëditore të Papa Françeskut. Pjesëtarët e njësive speciale të MPB-së mund të shiheshin pothuajse në të gjitha ndërtesat, që ndodhen rreth sheshit Maqedonia, ku qytetarët po shkonin që të jenë pjesë meshës solemne në nder të Papës “.
Vizitën e të parit të Vatikanit, qytetarët e shohin si mundësi për një unitet më të madh. Ata presin që ai ta kujtojë Maqedoninë e Veriut për nga mikpritja dhe gëzimin që e bartin me vete qytetarët, dhe veçanërisht ata që dolën për ta parë dhe për ta përshëndetur.
“Mendoj se ai do të sjellë energji pozitive, do të kontribuojë në zgjidhjen e disa çështjeve në fushën e politikës, si dhe nga ekonomia, duke i bashkuar besimtarët nga më shumë komunitete”.
“Ajo që ndodhi këtu sot mund të thuhet të jetë një ngjarje jo e dekadës, por e shekullit. Kjo duhet të mbahet mend nga të gjithë dhe të respektohet. “
Papa Françesku sot në mëngjes erdhi në vendin tonë nga Bullgaria ku më parë kishte qëndruar për dy ditë.
Ile Petrevski
Loading…



