Në oborrin e Shkollës Fillore “Liria” në fshatin Jabollçishtë e Poshtme, Komuna e Çashkës, u përurua këndi i lojërave “Parku i Miqve”, një donacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i realizuar përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.
Në ceremoninë e përurimit, ambasadori Florian Qehaja theksoi se, megjithëse bëhet fjalë për një investim modest, ai ka një simbolikë të veçantë dhe dëshmon përkushtimin e Kosovës për të qenë pranë qytetarëve të kësaj zone, si dhe për të forcuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, ky donacion është gjithashtu shenjë e lidhjes së ngushtë të Kosovës me shqiptarët në këtë rajon dhe një shprehje mirënjohjeje për kontributin e tyre në kauzën e shtetit të Kosovës.
Shkolla Fillore “Liria” ndiqet nga rreth 200 nxënës, ndërsa Komuna e Çashkës konsiderohet një zonë me rëndësi territoriale dhe me një komunitet autokton shqiptar.
Ky projekt është realizuar në kuadër të diplomacisë publike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Çashkës i ndau një mirënjohje Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup për kontributin e dhënë, e cila u pranua nga ambasadori Florian Qehaja.










