Alsat 2019-05-14T17:12:48+02:00
Integrimi evropian i vendit ishte në fokusin e takimeve që ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov sot i kishte me Mihael Rot, ministër për Evropën në MPJ-në gjermane, Jan Heker, këshilltar për politikë të jashtme të kancelares Merkel dhe Metin Hakverdi, deputet në Bundestagun gjerman nga radhët e SPD-së.
Në fokusin e takimit me ministrin Rot, siç kumtoi MPJ-ja ishin çështjet e ndërlidhura me integrimin evropian të vendit.
Në atë drejtim, ministri Dimitrov brifoi për rrjedhën e reformave vendore dhe procesin zgjedhor presidencial të zbatuar me sukses dhe i riafirmoi argumentet për marrje të vendimit për fillim të negociatave aderuese me BE-në dhe rëndësinë e mbështetjes gjermane në këtë proces.

Shefi i diplomacisë në takimin me Heker, i cili është këshilltar për politikë të jashtme të kancelares gjermane Merkel bisedoi për axhendën evropiane të Maqedonisë së Veriut, ndërsa janë shkëmbyer opinione edhe rreth dinamikës rajonale aktuale dhe rolin e Gjermanisë si partner kyç i vendeve nga Ballkani.
Në bisedën me deputetin Metin Hakverdi nga radhët e SPD theks i veçantë i është dhënë mbështetjes në Bundestag për procesin e integrimit tonë evropian dhe të arriturës në rajonet kyçe reformuese dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Gjatë qëndrimit ditën e nesërme janë planifikuar disa takime dhe bisedime me deputetë nga Bundestagu dhe bashkëpunëtorë relevantë në Zyrën federale dhe MPJ-në gjermane./MIA



